LDK: Zgjidhja është fare e thjeshtë, dorëheqja e kryeministrit

0
209

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me zhvillimet e fundit politike. Sipas LDK-së, zgjidhja është fare e thjeshtë, dorëheqja e kryeministrit, pastaj si rrjedhojë, shpërndarja e Kuvendit.

“Pas tre vjet e gjysmë populizëm dhe pa ndonjë progres thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizimi, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës, pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, kryeministri i Kosovës ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh”, ka shkruar LDK-ja.

LDK, thekson se, fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim ka gjetur aleatin dhe se LDK-ja nuk e pranon këtë instrumentalizim në asnjë rrethanë.

“LDK-ja është e gatshme të kërkojë besim qytetar, e gatshme ta marrë përgjegjësinë para sfidave, e gatshme të implementojë ‘Rrugën e Re’ si program zhvillimor, të djathtë e euroatlantik. Për këtë duhet dorëheqja e kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe, në fund, data. Ky është rendi i gjërave”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

“LDK-ja konsideron se, në këto ditë vendimtare, fokusi i institucioneve dhe i partive politike duhet të jetë te çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, proces të cilin, “me papërgjegjshmërinë e tij, e ka rrezikuar rëndë vetë kryeministri”, thuhet në reagim.

“LDK-ja e refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja thërret për një unitet të djathtë gjithëkombëtar, si lidhje përtejpartiake, si lëvizje shpëtimtare. Gjendja e tanishme politike, ekonomike, diplomatike e sociale kërkon lidership të ri në Kosovë. Rëndesa ekonomike, pagat e ulëta, çmimet e larta, sistemi shëndetësor i rrënuar e arsimi i mbetur prapa, sikurse dhe ngecjet enorme integruese për në BE e anëtarësuese për në NATO, po shkaktojnë çdo ditë zbrazjen e Kosovës, me nga 173 qytetarë duke u larguar nga vendi ynë çdo ditë e secilën ditë”, thuhet më tutje në reagimin e LDK-së.

LDK-ja ka njoftuar se nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje të aranzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave.

“LDK-ja fton të gjitha palët politike, që në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here