Kosova bie tetë pozita më poshtë në raportin e Reporterëve pa Kufij

0
70

Kosova ka rënë sivjet për tetë pozita më poshtë sesa vitin e kaluar, sipas raportit të Reporterëve pa Kufij, sa i takon lirisë së mediave në botë.

Kosova hyn në grupin e vendeve me situatë problematike të lirisë së shtypit.Nga vendet e rajonit, Bosnje-Hercegovina është renditur e 58-a në listë, Maqedonia e Veriut 90, Serbia 93 dhe Mali i Zi 104.Në raportin e vitit 2021 është thënë se gazetaria – vaksina kryesore kundër dezinformatave – është plotësisht apo pjesërisht e bllokuar në 73 për qind të 180 vendeve që përfshin organizata në listën e saj.

Indeksi për lirinë e mediave në botë, i cili mat kufizimet në qasjen ndaj informimit dhe pengesat në mbulim të lajmeve, konfirmon përpjekjet dhe masat për ta bllokuar gazetarinë.

“Ky tregues flet për përkeqësim dramatik”, është thënë në raport.

Mes tjerash në raport përmendet se pandemia e koronavirusit është shfrytëzuar për të bllokuar qasjen e gazetarëve në burime të informacionit dhe raportimit në teren.

“Gazetaria është vaksina më e mirë kundër dezinformimit”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Reporterëve të Kufij Christophe Deloire.

“Mirëpo fatkeqësisht prodhimi dhe shpërndarja e informacionit bllokohet nga faktorë politikë, ekonomikë, teknologjikë dhe ndonjëherë edhe kulturorë. Si përgjigje ndaj përhapjes së dezinformatave edhe jashtë kufijve, në platforma digjitale dhe rrjete sociale, gazetaria është mënyra e vetme për të siguruar se debati publik bazohet në një mori faktesh të vërtetuara”.

Të parët dhe të fundit në listë

Për të pestin vit me radhë, Norvegjia është renditur e para në listë, ndonëse mediat atje janë ankuar për mungesë të qasjes në informacion të mbajtur nga shteti, që lidhet me pandeminë.

Finlanda ka mbajtur vendin e dytë, derisa Suedia është renditur e treta. Ky rezultat konfirmon se “modeli nordik” është lider sa i përket lirisë së mediave në botë, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Kina, në anën tjetër, vazhdon të kryejë censurë në internet, vëzhgim dhe propagandë në nivele të pashembullta, andaj edhe renditet në mesin e vendeve me lirinë më të dobët të mediave.

Menjëherë pas Kinës vijnë tri shtete totalitare, që janë gjithmonë në vendet e fundit: Turkmenistani, Koreja Veriore dhe Eritrea.

Evropa është konsideruar vend i favorshëm për liri të mediave, ndonëse përgjatë një viti është raportuar për rritje të numrit të arrestimeve arbitrare në Gjermani, Francë, Itali, Poloni, Greqi, Serbi dhe Bullgari.

Leave a Reply