Komisionerja në Këshillin e Evropës bën apel që të mos publikohen emrat e dëshmitarëve të mbrojtur

0
68

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatovic përmes një komunikate për media ka bërë thirrje që të mos publikohen emrat e dëshmitarëve të mbrojtur nga dosjet që janë dorëzuar në zyrat e OVL-UÇK’së.

Mijatovic ka thënë se dosjet me emrat e dëshmitarëve që janë dorëzuar në zyret e OVL-UÇK’së e që dyshohen se i përkasin Dhomave të Specializuara janë zhvillime të papranueshme dhe të njëjtat duhet të adresohen nga prokuroria dhe gjykata, raporton Gazeta Express.

“Kushti i mbrojtjes dhe përkrahjes efektive për dëshmitarët në kontekstin e procedurave kriminale të ndërlidhura me kohën e luftës është shumë i rëndësishëm për luftën kundër pandëshkueshmërisë për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve të nëntëdhjeta në ish-Jugosllavi. Megjithatë, gjatë ditëve të fundit, emri i një dëshmitari të mbrojtur në një rast të krimit të luftës në Bosnjë e Hercegovinë, ku dyshohet se është i përfshirë Kryeministri i Republika Srpska-s, është publikuar në mediet lokale dhe dosjet e krimeve të luftës që përmbajnë emrat e dëshmitarëve që dyshohet se u përkasin Dhomave të Specializuara të Kosovës iu transferuan në mënyrë anonime një organizate të veteranëve në Kosovë. Këto zhvillime janë të papranueshme dhe ngrisin një numër të çështjeve serioze që duhet të adresohen nga autoritetet relevante, zyrat e prokurorëve dhe gjykatat”, ka deklaruar Komisionerja për të Drejtat e Njeriut.

Mijatovic ka thënë se mungesa e mbrojtjes së dëshmitarëve ka bërë që të njëjtit të mos paraqiten për të dhënë dëshmi për krimet që janë kryer.

“Mungesa e mbrojtjes efektive të dëshmitarëve ka qenë çështje shqetësimi në vendet në rajon për shumë vjet. Ajo i ka frenuar shumë dëshmitarë që të paraqiten dhe të japin dëshmi të paçmueshme rreth krimeve të luftës dhe lokacioneve të mundshme të varrezave masive që i mbajnë mbetjet e mijëra personave që ende mungojnë në rajon. Shumë dëshmitarë të mbrojtur janë vetë viktima të luftës dhe jetojnë në të njëjtat komunitete ku jetojnë edhe autorët e krimit. Në disa raste ku emrat e dëshmitarëve janë zbuluar, jeta e tyre është vënë në rrezik dhe familjet e tyre janë kërcënuar dhe disa dëshmitarë janë izoluar nga vetë komunitetet e tyre për shkak të dëshmive të tyre”, ka thënë ajo.

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut u ka bërë thirrje politikanëve dhe sistemit gjyqësor që të marrin seriozisht çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve në rastet e krimeve të luftës.

“Unë u bëj thirrje të gjithë politikanëve dhe anëtarëve të sistemit gjyqësor në rajon që ta marrin seriozisht çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve në rastet e krimeve të luftës dhe t’i marrin të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar që asnjë dëshmitar të mos ketë nevojë të frikësohet për jetën e vet kur të dëshmojë në një rast të krimeve të luftës.  Në mënyrë shumë të nevojshme, këtu përfshihen identifikimi i shpejtë dhe sjellja para drejtësisë e personave që po përpiqen t’i frikësojnë dëshmitarët”, ka thënë ajo.

Unë gjithashtu u bëj apel profesionistëve të medieve që të mos zbulojnë të dhëna rreth identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur. Duke vepruar kështu, ata jo vetëm që i shkelin kodet etike të gazetarisë, por rrezikojnë që të mbahen përgjegjës penalisht.

Leave a Reply