Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar lidhur me përvjetorin e Ditës së Evropës, i cili ka thënë se kjo është më shumë se një ditë feste por edhe përkujtim për vlerat e avokuara që në vitet e ’50-ta, e që çuan më tej drejt krijimit të Bashkimit Evropian.
Sipas Kurtit, Kosova jo vetëm që i bashkohet thirrjeve dhe misionit të mbrojtjes së demokracisë anekënd Evropës, por edhe në vazhdimësi dëshmon vullnetin e gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim, si në përafrimin e politikës së jashtme të vendit me atë të Bashkimit Evropian.
Tutje, Kurti ka përmendur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku tha se avancimi i vendit në rrugën drejt BE-së, do ishte sinjal pozitiv për vendin dhe për vlerat demokratike.
Njoftimi i plotë:
74 vite më parë, u vendosën gurthemelet e unionit evropian, përmes deklaratës së Ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman, arkitektit të projektit të integrimit evropian, në Salon de l’Horloge të Quai d’Orsay në Paris.
Ajo që ne e njohim sot si Dita e Evropës, është më shumë se një ditë feste, por edhe përkujtimi për vlerat e avokuara që në vitet e ’50-ta, e që çuan më tej drejt krijimit të Bashkimit Evropian. Uniteti, solidariteti e bashkëpunimi, rezonojnë ende sot si parime unike e të patjetërsueshme, për ruajtjen e demokracisë, drejtësisë dhe barazisë, të drejtave të njeriut e sundimit të ligjit në kontinentin tonë.
E gjersa Evropa sot po kërcënohet nga politikat ekspansioniste e ideologjitë ekstremiste, ruajtja e unitetit bëhet më e rëndësishme se asnjëherë më parë. Vetëm një Evropë e bashkuar mund të bëhet mburojë ndaj agresioneve ushtarake e tentimeve destabilizuese që cenojnë paqen dhe rrezikojnë lirinë.
Republika e Kosovës jo vetëm që i bashkohet thirrjeve dhe misionit të mbrojtjes së demokracisë anekënd Evropës, por edhe në vazhdimësi dëshmon vullnetin e gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim, si në përafrimin e politikës së jashtme të vendit me atë të Bashkimit Evropian, por edhe në mbështetjen e të gjitha masave të vendosura ndaj agresionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës.
Por që të kontribojmë e të bëjmë edhe më shumë, duhet të jemi pjesë e familjes evropiane e rrugëtimi ynë të vlerësohet në baza meritokracie. Teksa edhe zgjerimi është rikthyer në vëmendje e agjendën e BE-së pas shumë vitesh, vendi ynë ka aplikuar dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Avancimi i vendit tonë në rrugën drejt BE-së, do ishte sinjal pozitiv për vendin dhe për vlerat demokratike.
Dita e Evropës ngërthen në vetvete premtimin se vetëm bashkë jemi më të fuqishëm. Në një Evropë të bashkuar, në një Evropë që ruan e kultivon lirinë e demokracinë, paqen e sigurinë.
Urime 9 Maji – Dita e Evropës!