A jemi gati për energjitë e pastra?
Nëse gjithkush e kupton se dimri është duke trokitur në dyert tona, neve ende nuk shohim shpresë se kriza e përvitshme energjetike mund të shmanget. Me se do të ngrohemi, me se do të gatuajmë, a do ta shohim njëri-tjetrin në dritën e qiririt edhe këtë vit? Shenjat paralajmëruese janë të pak e shumë jo premtuese për një dimër të lehtë.
Ne e dimë që energjitë e rinovueshme funksionojnë. Ndërsa era dhe dielli janë, për momentin burimet që po i japin një hov të ri energjisë në botë. Njerëzimi, me kalimin e dekadave, ka provuar çdo gjë tjetër përveç energjive të rinovueshme, por e ashtuquajtura krizë e naftës, ka bërë që industri të reja të mbijnë si kërpudhat pas shiut. Këto industri më të përparuara i kanë vënë gishtin kokës për të nxjerrë fitime aty ku mund të mos shkaktojnë dëme, të mbushin xhepat duke mos ia zbrazur thesaret natyrës. A është gati vendi ynë për t’i hapur dyert e gjeneratës së re të energjive të pastra? E pse jo? Iniciativat nuk mungojnë, duhet vetëm që dikush t’i përkrahë.
Vendimet, që duhet të merren, natyrisht që do të kenë një ndikim të madh në të ardhmen e gjithë njerëzimit, sepse bota, pas naftës, e fuqizuar me energjitë e rinovueshme, mbart me vete premtimin se epoka e paqes dhe prosperitetit të dëshirueshëm do të jetë më pranë. Prandaj ne duhet të nisemi në rrugën drejt energjive të pastra, tani më shumë se kurrë.
Bota është duke përjetuar sot fundin e regjimit të epokës së lëndëve djegëse fosile, si dhe tranzicionin drejt një regjimi të ri energjetik. Civilizimi i sotëm është në një moment kritik, ku për 30 vjet, ekuilibri energjetik aktual, i mbështetur pothuajse tërësisht tek lëndët djegëse fosile, pritet të përjetoj një tranzicion të thellë. Kjo është ndër arsyet kryesore pse sot vendet e zhvilluara, kudo në botë, i kanë fokusuar të gjitha energjitë dhe vështrimet drejt shfrytëzimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.
Sistemi elektroenergjetik i vendit tonë, aktualisht i mbështetur pothuajse tërësisht tek termocentralet, duke e vënë gjithmonë në mëdyshje mundësinë e tij,tashmë me kapacitete të shpeshherë të kufizuara me gjenerim kundrejt kërkesës gjithmonë në rritje për energji, si dhe me probleme të shumta teknike dhe joteknike, për sa i përket humbjeve në rrjet, dhe një barrë shumë e madhe e pamundësisë së inkasimit të shpenzimit të energjisë elektrike në pjesën veriore të vendit tonë, nuk ka asnjë dyshim që është i zhytur plotësisht në një krizë disavjeçare energjetike.
Në këtë këndvështrim, mund të thuhet se një ndër sfidat më kryesore të sektorit energjetik të vendit tonë është diversifikimi i burimeve energjetike dhe vetëplotësimi i nevojave për energji me burime nga vendi ynë, duke ulur kështu varësinë nga importi.
Një nga burimet, mund të theksojmë që evidentimi i kushteve të favorshme për shfrytëzimin e erës për qëllime energjetike, përveç shpejtësisë mesatare (për të cilën ka disa të dhëna jo të plota), lidhet me njohjen edhe të disa parametrave të tjerë mjaft të rëndësishëm, si: sasia e orëve me erë në vit mbi një prag të dhënë, probabiliteti i shfaqjes së erërave për pragje të ndryshme, shpejtësitë maksimale të erës etj. Këto parametra do të shërbejnë në të ardhmen për një studim më të thelluar në këtë fushë.
Megjithatë në vendin tonë janë identifikuar disa zona atraktive si për mundësi të prodhimit të energjisë me erë, ku në dy prej tyre vetëm se janë finalizuar dhe janë në punë me kapacitet të instaluar deri 138 megavat,si :
- Kitka në Kamenicë,
- Selaci-Bajgorë Mitrovicë.
Dhe matjet qe ekzistojnë edhe për
- Zatriqi-Rahovec,
- Budakovë-Suharekë.
Sot në botë nuk ndërtohen më TEC-e me naftë. Është vërtetuar se rezervat e naftës në botë po pakësohen me shpejtësi. Rreziku planetar nga ngrohja globale, e shkaktuar si rrjedhojë e djegies së fosileve, ka shtyrë me shpejtësi kërkimin e burimeve të pastra të energjisë. Tashmë, energjitë e pastra janë në fokus të gjithë shteteve dhe kompanive të energjisë në botë. Energjia e erës është një realitet sot. Energjia e erës po bëhet me shpejtësi burim energjie kompetitiv. Teknologjia e turbinave të erës po përmirësohet me shpejtësi. Turbinat e reja 1-3 MW, sot prodhojnë me 1/6 e kostos, krahasuar me turbinat e viteve 80. Energjia e erës është rezistente ndaj inflacionit, pasi investimi fillestar dihet e, më pas, nuk varet nga luhatja e çmimeve. Turbinat e erës instalohen shpejt për t’iu përgjigjur mungesave të energjisë. Çdo MW i energjisë së erës është i barabartë me 2,5-3 punëtorë vjetorë. Energjia e erës rrit pavarësinë e sigurimit të energjisë në vend, pasi nuk varet nga rrugët e pasigurta. Një turbinë e vetme 1MW, pakëson 1800 ton dioksid karboni, ndotësi primar i ngrohjes globale, për çdo vit, e barabartë me mbjelljen e 1,8 km2 pyll.
Pastaj, energjia diellore ka vite që përdoret në vendet e zhvilluara, duke e konsideruar si burim energjie të padiskutueshëm në të ardhmen.Në Kosovë ka filluar të ketë interesim të shtuar si për zhvillim të projekteve me energjis solare, dhe poashtu edhe bizneset, pastaj vendosja e paneleve solare nepër amvisni.Kjo poashtu, është një ndihmesë e madhe për lehtësim të sistemit dhe ndikojnë direkt në uljen e ndotjes së ambientit e më këtë edhe të efetit serrë.
Të marrim një shembull: Spanja është ndër vendet evropiane më të privilegjuara sepse çdo m² toke ka 1500 kilovatorë energji diellore.
Zhvillimi i energjive të rinovueshme ka ndryshuar nga viti në vit, në të gjithë botën, ku më shpejt e ku më ngadalë.
Shkruan: Msc.i Dipl.i Eng. Sami Gashi – Specializimin për burimet e ripërtritshme në bashkëpunim me Arizona State University, dhe Auditor i çertifikuar i energjisë elektrike dhe ndriçimit publik.
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online