Pas fitores së mbrëmshme 1:0 ndaj Irlandës, Kombëtarja e Kosovës nuk ka pasur shumë kohë për festë. Dardanët i janë rikthyer menjëherë përgatitjeve, pasi tashmë në horizont është sfida e radhës, ajo ndaj Austrisë, favoritit të grupit.
Në stërvitjen e zhvilluar sot, përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion 16 futbollistë. Ndërkohë, lojtarët që e nisën ndeshjen ndaj Irlandës nga minuta e parë kanë zhvilluar një seancë rigjeneruese në hotel, me qëllim rikuperimin pas angazhimit të madh në sfidën e së enjtes.
Atmosfera në kampin dardan vazhdon të jetë pozitive. Fitorja dhe tri pikët e marra në start kanë rritur edhe më shumë motivimin në skuadër, por tashmë vëmendja është kthyer tërësisht te ndeshja e radhës.
Austria është kundërshtari i radhës për Kosovën, në një sfidë që do të zhvillohet të dielën në Vjenë. Për Dardanët, një tjetër test i rëndësishëm në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Pas një nate të madhe në “Fadil Vokrri”, Kosova tashmë synon të vazhdojë me të njëjtën energji edhe në transfertën austriake.















































