Komandanti i KFOR-it thotë se nuk do të lejojnë barrikadimin e rrugëve në veri

0
236

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari, ka thënë se nëse nuk arrihet marrëveshje dhe nëse krijohen përsëri barrikada nga serbët lokal në veri atëherë do të veprojnë për të mundësuar lirinë e lëvizje në atë pjesë.

Kështu ka thënë Kajari në një intervistë për RTK e cila do të transmetohet sonte.

Kajari ka  thënë se KFOR-i nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve, sepse Rezoluta 1244 e OKB-së i jep dy detyra KFOR-it në Kosovë, që ai i ka quajtur detyra madhore: ‘Për ta mbajtur  mjedisin e sigurt dhe rregullin në Kosovë dhe për ta ruajtur lirinë e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët’.

“Nëse krijohen barrikada kjo e pengon lëvizjen e lirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshja, atëherë do të arrijmë në një moment ku KFOR-i do të duhet të veprojë për të mundësuar lirinë e lëvizjes”, ka shtuar tutje Kajari.

Komandanti i KFOR-it ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në pjesën veriore është qetësuar pas ngjarjeve të fundit, teksa ka thënë se pret që negociatat që janë në vazhdim të rezultojnë  me një marrëveshje.

Ai ka pranuar se KFOR-i e ka rritur praninë e vet në veri të vendit.

“KFOR-i ka vendosur pikat e vrojtimit dhe pikat e kontrollit teknik në të gjithë hapësirën. Po ashtu, kemi rritur edhe aktivitetin patrullues në gjithë rajonin. Këto masa janë marrë për të qenë në gjendje për çfarëdolloj incidenti dhe për një siguri më të madhe. Nëse ka tensione, ne do të veprojmë sipas mandatit tonë”, ka thënë Kajari.

Ai ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe për gjithçka të negociohet dhe të arrihet marrëveshje politike, pasi sipas tij ‘vendosja e barrikadave nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës’.

Kajari sonte flet edhe për grupet kriminale serbe në veri, për aktivitetin e Milan Radojçiqit, për grafitet kërcënuese të serbëve, për kërkesën e presidentit serb Vuçiq që KFOR-i të vendoset tek ura e Ibrit, për rrezikun eventual për luftë, për shtimin e forcave serbe në afërsi të kufijve të Kosovës dhe tema të tjera.

Leave a Reply