Këngëtarja shqiptare Shkurte Fejza i është drejtuar me një apel publik kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke i kërkuar të dëgjojë shqetësimet e studentëve dhe të gjejë një zgjidhje përmes mirëkuptimit.
Në një postim publik, Fejza është shprehur se Shqipëria ka nevojë për qetësi, drejtësi dhe dialog, ndërsa ka theksuar se të rinjtë nuk duhet të shihen si kundërshtarë, por si pjesë e rëndësishme e së ardhmes së vendit.
Duke iu drejtuar Ramës, këngëtarja ka thënë se pas çdo studenti që kërkon zgjidhje qëndron një familje me shpresa, sakrifica dhe ëndrra.
Ajo i ka bërë thirrje kryeministrit që të gjejë një zgjidhje të drejtë dhe të arsyeshme, e cila do t’u japë shpresë studentëve dhe qetësi familjeve të tyre.
“Ndërkohë, madhështia e udhëheqjes nuk qëndron vetëm në vendimet që merren, por edhe në gatishmërinë për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të gjetur dorën e pajtimit”, ka shkruar Fejza.
Ajo ka theksuar se zgjidhja e situatës nuk duhet ta thellojë ndarjen, por të ndërtojë ura besimi mes institucioneve dhe qytetarëve.
“Shqipëria ka nevojë për qetësi, urtësi, drejtësi dhe zemërgjerësi. Ka nevojë që të rriturit t’i dëgjojnë të rinjtë dhe që shpresa të mos shuhet në sytë e tyre”, ka shkruar këngëtarja.
Në fund të mesazhit të saj, Fejza ka shprehur shpresën që të gjendet një zgjidhje e mirë për të gjithë, duke e cilësuar thirrjen e saj si një lutje për Shqipërinë dhe të ardhmen e fëmijëve të saj.















































