“Do të rikthehem”, Vinicius: Mua, Yamalin dhe Álvarezin duhet të na mbrojnë

0
33

Vinicius Junior nuk e ka fshehur zemërimin pas vendimit për ta dënuar me katër ndeshje pezullim në La Liga.

Sulmuesi i Real Madridit reagoi pas fitores 4-3 ndaj Romës në Ligën e Kampionëve, duke kritikuar ashpër trajtimin që, sipas tij, po u bëhet futbollistëve ofensivë.

Braziliani u ndëshkua pas incidentit në ndeshjen kundër Villarrealit, kur i tërhoqi flokët kundërshtarit Nathan Saliba.

Për këtë veprim dhe protestat pas përjashtimit, atij iu shqiptua dënimi me katër ndeshje, që e lë jashtë edhe përballjes së shumëpritur ndaj Barcelonës.

“Do të rikthehem… Vini rikthehet gjithmonë! Nuk kam parë kurrë një lojtar të dënohet me katër ndeshje pezullim për tërheqjen e flokëve të një kundërshtari”, deklaroi Vinicius, përcjell “Gazeta Express”.

Ai beson se ndaj tij po zbatohet një standard i padrejtë dhe se lojtarët që bëjnë diferencën në fushë duhet të kenë më shumë mbrojtje nga gjyqtarët.

“Skuadrat e tjera dhe mediat do të thonë se dënimi është i drejtë. Kur bëhet fjalë për mua, gjithçka është e lehtë. Mbrojtësit mund të më godasin vazhdimisht, por në fund kartonin e verdhë e marr unë”, u shpreh sulmuesi brazilian.

Vinicius kërkon mbrojtje edhe për Yamalin dhe Julián Álvarezin

Futbollisti i Real Madridit theksoi se problemi nuk lidhet vetëm me të, por edhe me lojtarët e tjerë ofanzivë që shpesh përballen me ndërhyrje të ashpra nga kundërshtarët.

“Besoj se lojtarët si unë, Lamine Yamal dhe Julián Álvarez duhet të mbrohen”, deklaroi Vinicius.

Braziliani po e kalon një periudhë të vështirë sa i përket formës dhe kritikave, ndërsa këtë sezon e ka regjistruar vetëm një gol dhe tre asistime në 10 ndeshje, sipas statistikave të publikuara nga Tuttomercatoweb.

Megjithatë, ai mbetet i bindur se do ta kalojë këtë moment dhe do të rikthehet në nivelin e tij më të mirë.

“Jam i zemëruar me veten, sepse nuk kam qenë në nivelin tim më të mirë. Por Vini rikthehet gjithmonë dhe nuk kam asnjë dyshim se do të rikthehem”, përfundoi ylli brazilian.

Përveç mungesës në ndeshjet e ardhshme të kampionatit spanjoll, pezullimi do ta detyrojë Viniciusin ta ndjekë nga jashtë fushës edhe El Clásicon ndaj Barcelonës, të planifikuar për 25 tetor. /Express