“Ke një javë kohë, asnjë ditë më shumë”, Bayerni nuk duron më!

0
181

Bayern Munich nuk ka ndërmend të presë gjatë Alphonso Davies. Anësori i majtë kanadez, një ndër më të mirët në rolin e tij, ka kontratë deri në 2025 me bavarezët.

Por, deri tani ka refuzuar ofertat e rinovimit, ndërkohë që e ardhmja e tij lidhet me Realin e Madridit, dëshirë që e ka shprehur publikisht menaxheri i tij.

Rekordmenët e futbollit gjerman i kanë ofruar 23-vjeçarit zgjatjen e bashkëpunimit deri në 2029. Kontratë nga e cila do të përfitojë rreth 14 mln euro neto në sezon!

Drejtuesit e Bayernit, të lodhur nga lojërat e Davies, i kanë vendosur ultimatumin final këtij të fundit. Lojtari ka një javë kohë për të marrë vendimin përfundimtar. Nëse do të rinovojë apo jo.

Në lidhje me këtë çështje foli edhe Max Eberl. “Bisedimet vazhdojnë prej një kohe të gjatë, por u ndërprenë gjatë verës së kaluar. Në vijojmë të punojmë në lidhje me rinovimin.

Real Madrid? Askush prej tyre nuk na ka kontaktuar. Le të themi se i kemi bërë Davies një ofertë shumë konkrete, që tregon gjithë mirënjohjen tonë. Në një moment të caktuar të jetës duhet të thuash po ose jo”, u shpreh drejtori sportiv.

Ndërkohë, “raketa” e krahut kërkon 20 mln euro neto në sezon nga kontrata e re. Nëse rinovimi nuk vjen, atëherë Bayerni do të detyrohet ta shesë në verë, për të mos e humbur me parametra zero në 2025.

Çmimi i kartonit vlerësohet rreth 50 mln euro, duke llogaritur që i ka mbetur edhe një vit kontratë me skuadrën gjermane, ku luan prej janarit të vitit 2019./SS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here