Italia e çon në gjyq Slloveninë për uthull

0
280

Qeveria italiane ka nisur procedurat gjyqësore kundër Sllovenisë në një përpjekje për të mbrojtur origjinalitetin e uthullës balsamike të saj të famshme, të mbrojtur gjeografikisht, shkruan The Guardian.

Marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan vitin e kaluar kur Sllovenia njoftoi Komisionin Evropian për planet e saj për të “standardizuar” prodhimin e saj të uthullës, në thelb duke kërkuar të tregtojë çdo uthull vere të përzier me lëng frutash të cilat do të quheshin “uthull balsamike”.

Termi “aceto balsamico di Modena” (uthull balsamike e Modenës) është përdorur që nga viti 2009 dhe mund të përdoret vetëm nga prodhuesit në Modena dhe rajonin Emilia-Romagna.

Italia e konsideron lëvizjen e Sllovenisë një kërcënim për traditën e uthullës balsamike Modena dhe për një treg me vlerë rreth 1 miliard euro.

Beteja e uthullës balsamike u bë prioritet për qeverinë e kryesuar nga kryeministri Mario Draghi, e cila i ka dhënë dritën jeshile avokatit të shtetit për nisjen e procedimeve. Hapi i parë kërkon një konsultim me Komisionin përpara se, nëse është e nevojshme, ta çojë çështjen në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJEDU).

“Pas muajsh pritjeje dhe shqetësimi, ne më në fund shohim një dritëz”, ka thënë Mariangela Grosoli, presidentja e konsorciumit për mbrojtjen e uthullës balsamike të Modenës.

Ministri i Bujqësisë i Italisë, Stefano Patuanelli, ka thënë vitin e kaluar se mbrojtja e verës dhe ushqimit italian ishte një prioritet dhe qeveria do të bënte gjithçka për të mbrojtur prodhimin e vendit nga “sulmet e paligjshme”.

Megjithatë, mbetet të shihet se sa e suksesshme do të jetë lëvizja ndaj Sllovenisë. Në vitin 2019, prodhuesit italianë të uthullës balsamike humbën një sfidë ligjore për të parandaluar një kompani gjermane të përdorte emrat aceto ose aceto balsamico për të tregtuar produktet e saj të uthullës. Biznesi gjerman i kishte etiketuar produktet e tij me termat balsamico dhe Deutscher balsamico.

Por GJED-ja vendosi se termi i mbrojtur aceto balsamico di Modena “nuk shtrihet në përdorimin e termave individualë jogjeografikë”. Gjykata vendosi se emri aceto është i zakonshëm dhe se balsamico është një mbiemër që përdoret zakonisht si referencë për një uthull me një aromë të rëndë. Prandaj, ndërsa marka tregtare aceto balsamico di Modena mund të përdoret vetëm nga prodhuesit brenda një zone specifike gjeografike, nuk kishte kufizime të tilla vetëm për aceto balsamico./Koha

Leave a Reply