Institucionet e sigurisë: Pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” po zhvendosen në Serbi

0
256

Janë duke u zhvendosur në Serbi pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”, organizata këto që Qeveria i ka shpallur terroriste dy javë më parë. Sipas një dokumenti të institucioneve të sigurisë, në të cilin ka pasur qasje KOHA, pjesa dërrmuese e pjesëtarëve që kanë lëshuar Kosovën janë vendosur në Kopaonik e Rashkë, me qëllim që t’i shmangen arrestimit. Ekspertë të sigurisë thonë se është gabim nëse institucionet lejojnë largimin e tyre dhe nuk i përballin me drejtësinë

Institucionet e sigurisë në Kosovë kanë informacione se pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” janë duke u zhvendosur në Serbi. Në fund të qershorit, Qeveria e Kosovës i shpalli terroriste të dyja këto organizata që veprojnë në veriun e banuar kryesisht me serbë.

Në një dokument të hartuar nga institucionet e sigurisë, e të cilin e ka parë KOHA, thuhet se pjesa dërrmuese e pjesëtarëve të këtyre organizatave që kanë lëshuar Kosovën janë vendosur në Kopaonik e Rashkë, me qëllim që t’i shmangen arrestimit.

“Që nga fillimi i arrestimeve nga Policia e Kosovës, e veçanërisht pas shpalljes së dy formacioneve ilegale “Mbrojtja Civile/Civilna Zaštita” dhe “Brigada e Veriut/Severna Brigada” si grupe terroriste, në mënyrë graduale ka filluar zhvendosja e tyre në drejtim të Serbisë. Pjesa dërrmuese besohet se janë vendosur në Kopaonik dhe Rashkë. Shpenzimet e tyre po mbulohen nga Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq”, thuhet në dokumentin që ka parë KOHA.

Formalisht, “Mbrojtja Civile” është shuar në bazë të marrëveshjes së 2013-s, nëpërmjet së cilës pjesëtarët e saj u sistemuan në institucione.

Ndërkaq pasi është shpallur organizatë terroriste, “Brigada e Veriut” në një mesazh që ka publikuar në Telegram, ka theksuar se nuk do të largohet nga Kosova, porse për arsye të sigurisë nuk do të njoftojë publikisht për lëvizjet që do t’i bëjë.

E, në ditën kur këto organizata u shpallën terroriste, më 29 qershor, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi nuk prek askënd nëse deri në momentin e vendimit të Qeverisë ka qenë pjesëtar i këtyre dy organizatave dhe nuk ka kryer vepra penale.

Vendimin, Sveçla e kryeministri Albin Kurti e patën arsyetuar me kërcënimin serioz dhe të drejtpërdrejtë që thanë se ato përbëjnë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Informacionet që i kanë për pjesëtarët e këtyre dy organizatave, Ministria të cilën e drejton Sveçla, nuk i ka ndarë me KOHËN, duke mos iu përgjigjur një numri pyetjesh.

Por Burim Ramadani, ish-inspektor i AKI-së, thotë se anëtarët e organizatave terroriste duhet të ndiqen penalisht e jo të lejohet largimi i tyre për në Serbi.

“Largimi eventual i tyre nga territori i shtetit tonë nuk është dashur dhe nuk duhet të jetë synim i Qeverisë së Kosovës, por procedimi penal i tyre, sepse të dyshuarit besoj unë kanë qenë brenda territorit të Kosovës më 29 qershor 2023, kur Qeveria ka marrë këtë vendim. Për më shumë, nëse Qeveria do të ishte e kënaqur se ‘disa prej tyre e lëshojnë territorin e Kosovës’, atëherë kjo tregon, më së buti thënë, një dëshirë që të mos sfidohet gjatë argumentimit në proces gjyqësor përgjegjësia individuale dhe e organizatave”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, kur shtetet shpallin organizata terroriste, do të duhej që anëtarët e dyshuar të tyre të kapen e të ndiqen penalisht.

“Lista e personave të tillë, nëse është identifikuar saktë dhe e cila mund të azhurnohet, do të duhej të ndahej edhe me shtetet e tjera aleate që të mundësohen arrestimi dhe ekstradimi i tyre në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë. Prandaj, shpallja e organizatave terroriste është një proces më i ndërlikuar dhe i bashkërenduar maksimalisht me aleatët”.

Shpallja terroriste e këtyre dy organizatave është bërë pa koordinim me ndërkombëtarët. Ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla, pati thënë se veprimet që i marrin i bashkërendojnë me partnerët, por më pas ai u demantua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe EULEX-i. Sipas tyre, marrja e vendimit për shpalljen e dy organizatave terroriste, nuk është koordinuar paraprakisht me ta.

Informacionet që dihen për të to janë të pakta dhe jo të gjitha zyrtare. Megjithëkëtë, zyrtarë qeveritarë kanë theksuar se kanë gjetur shumë informacione për të dyja dhe për anëtarët e tyre, kur kanë marrë kontrollin në objektet e komunave në veri.

Në qershor është arrestuar Millun Millenkoviqi, nën dyshimin për ushtrim të dhunës ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe për vepra të tjera kriminale gjatë tensioneve në veri. Atëkohë, ministri Sveçla ka theksuar se Millenkoviq është udhëheqës i “Mbrojtjes Civile”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here