Pianistja e re nga Prizreni, Hira Haxhibeqiri, ka shënuar një tjetër sukses në skenën ndërkombëtare, duke u vlerësuar me çmimin e veçantë “Special Prize” gjatë pjesëmarrjes në Mimas Festival në Itali.
Gjatë muajit gusht, në kuadër të Piano Balkan Academy, Hira pati mundësinë të performojë në dy koncerte në Itali. Paraqitjen e parë e zhvilloi në Romë, ndërsa më pas udhëtoi drejt ishullit të Procidës, ku u bë pjesë e Mimas Festival, shkruan 04 Online.
Performanca e saj në Procida u kurorëzua me një vlerësim të veçantë, pasi Hira u shpërblye me “Special Prize”, një mirënjohje që përbën një tjetër arritje të rëndësishme në rrugëtimin e saj artistik.
Ky sukses vjen si rezultat i përkushtimit dhe punës së vazhdueshme në piano, ndërsa pjesëmarrja në skena ndërkombëtare i ofron pianistes së re mundësi të rëndësishme për të fituar përvojë dhe për të zhvilluar më tej talentin e saj muzikor.
Përmes këtyre paraqitjeve, Hira Haxhibeqiri ka pasur mundësinë që përmes muzikës të përfaqësojë Prizrenin dhe Kosovën në një skenë ndërkombëtare, duke e shndërruar çdo performancë në një mundësi për të prezantuar potencialin e saj artistik.
Vlerësimi në Itali është një tjetër hap në rrugëtimin e saj dhe një motivim shtesë për të vazhduar me përkushtim në zhvillimin e karrierës së saj pianistike./04 Online/


















































