Granit Xhaka raportohet se i është dhënë një rol udhëheqës në skuadrën e Mikel Artetas, ndërsa Arsenali kërkon të vazhdojë fillimin e tyre të pamposhtur në sezonin e ri të Ligës Premier.
Sipas një raporti nga The Athletic, mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane dhe nënshkrimi i ri Gabriel Jesus janë emëruar nga trajneri spanjoll për të shërbyer në pozitat drejtuese të skuadrës te Gunners.
Xhaka dhe braziliani do të jenë pjesë e grupit kryesor drejtues së bashku me kapitenin Martin Odegaard dhe gjithashtu do të thirren për të marrë shiritin në krah nëse mungon ish-mesfushori i Real Madridit.
Lajmi është domethënës për Xhakën pasi iu mor shiriti i kapitenit pas një incidenti në Crystal Palace që gati i dha fund karrierës së tij në veri të Londrës.
Reprezentuesi zviceran ishte zgjedhur nga trajneri i atëhershëm Unai Emery për të marrë përsipër shiritin e liderit nga Laurent Koscielny, por periudha e tij e pafat me shiritin në krah do të zgjaste vetëm një muaj.
Megjithatë, pasi Arteta mori frenat në Arsenal pas shkarkimit të Emerys, ai e bindi Xhakën të qëndronte mes spekulimeve për transferim dhe 29-vjeçari ka mbetur një pjesë kyçe në klub që atëherë.
Xhakës madje iu besua shiriti në krahë pasi Odegaard u zëvendësua në fitoren e Arsenalit në Ligën Premier në ndeshjen e parë. /Telegrafi