Robin van Persie nuk do të vazhdojë më në krye të Feyenoordit. Klubi nga Roterdami ka bërë të ditur të dielën se ka ndërprerë bashkëpunimin me teknikun 42-vjeçar, pas rreth një viti e gjysmë në drejtimin e ekipit.
Legjenda e futbollit holandez, e njohur për karrierën e tij te Arsenali, Manchester Unitedi dhe Fenerbahçe, largohet edhe pse arriti ta mbyllë sezonin në pozitën e dytë të Eredivisie-s, rezultat që i siguroi Feyenoordit pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, skuadra nuk ishte në gjendje të rivalizonte për titullin kampion, i cili përfundoi në duart e PSV-së.
Drejtori teknik, Devy Rigaux, shprehu mirënjohjen për kontributin e Van Persiet, duke vlerësuar punën e tij gjatë periudhës sa ishte në krye të ekipit. Sipas tij, pas një analize të detajuar të sezonit, drejtuesit vendosën se klubi duhet të hyjë në një fazë të re me një trajner tjetër.
“Robin van Persie ka dhënë gjithçka për klubin gjatë një viti e gjysmë. Ai meriton vlerësime për mënyrën se si e përfundoi një sezon të vështirë dhe për sigurimin e vendit të dytë në kampionat”, deklaroi Rigaux.
Megjithatë, drejtuesit e Feyenoordit vlerësuan se rezultatet dhe mënyra e lojës së skuadrës kërkojnë një ndryshim në prag të sezonit të ri.
“Përfundimi ynë ishte se është më mirë që sezonin e ardhshëm ta nisim me një trajner të ri”, shtoi ai.
Në vendim ndikuan edhe paraqitjet në arenën evropiane. Feyenoordi u ndal nga Fenerbahçe në fazën e fundit kualifikuese për Ligën e Kampionëve, ndërsa më pas zhgënjeu në Ligën e Evropës. Ekipi regjistroi vetëm dy fitore në tetë ndeshje të fazës së grupeve, kundër Sturm Grazit dhe Panathinaikosit, duke pësuar gjashtë humbje.
Van Persie mbetet një prej emrave më të mëdhenj të futbollit holandez. Ai zhvilloi më shumë se 100 paraqitje me përfaqësuesen e Holandës dhe realizoi 50 gola, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e futbollit të vendit të tij.















































