Federata e Boksit: Ky është viti i tretë me radhë që politika bëhet pengesë për pjesëmarrjen e Kosovës në Botërorin e Indisë

0
179

Federata e Boksit të Kosovës ndihet mjaft e shqetësuar me faktin se Donjeta Sadiku mund të mbetet pa pjesëmarrje në Kampionatin e tretë Botëror shkaku i problemeve me viza.

Shtëpia e boksit kosovar insiston se politika është ajo që po përzihet në sport dhe që po ua mohon sportistëve të drejtën elementare – pjesëmarrjen në gara, për të cilat përgatiten dhe derdhin djersë.

FboxK e ka shpjeguar krejt ecurinë e procedurave për pajisjen me vizë të boksieres më të mirë në Kosovë, premtimet që i ka marrë dhe në fund zhgënjimin që po e përcjell, shkruan “Gazeta Express”.

Ekipi kosovar është dashur të niset të hënën (nesër) për në Indi, ku pasnesër do të hidhet shorti për Botëror, por që Donjeta Sadiku nuk është pajisur ende me vizë.

Pra, koha ia ka kthyer shpinën boksieres nga Gollaku, e cila mund ta humbasë edhe një garë të madhe shkaku i politikës, pasi nuk po mundë të marrë vizë.

“Politika përsëri pengesë e sportit. Ky është viti i tretë me radhë që politika bëhet pengesë për pjesëmarrjen e Kosovës në Kampionatin Botëror në Indi”, shkruan fillimisht Federata e Boksit të Kosovës.

“Kombëtarja e Kosovës në boks përsëri po ballafaqohet me probleme për pjesëmarrjen në kampionate botërore nga shtetet të cilat nuk e njohin shtetin e Kosovës. Federata e boksit qysh nga muaji janar ka dorëzuar dokumentacionin e kompletuar për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror, i cili do të mbahet nga data 14-26 Mars 2023 në  New Dehli-Indi. Edhe pse Komiteti Olimpik i Indisë dhe Federata e Boksit e Indisë fajin ja hedhin Qeverisë Indiane gjegjësisht Ministrisë së  punëve te jashtme te Indisë për mos pajisjen me viza për Kombëtaren e Kosovës në Boks”, shpjegon tutje institucioni më i lartë i boksit kosovar.

“Përveç FBOXK-it në këtë proces për pajisjen me viza për sportistët tanë kanë qenë të angazhuara Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ministria e punëve të jashtme dhe diasporës  e Kosovës. Edhe pse nesër me 13 Mars ekipi i Kosovës ka qenë e paraparë të udhëtojë, deri më sot kemi qenë në pritje të një përgjigje pozitive. Kosova në këtë kampionat botëror ka qenë e paraparë të përfaqësohet me boksieren medalisten botërore në60kg Donjeta Sadiku, ku kemi qenë të bindur që edhe nga ky kampionat Donjeta do të sillte medalje”, shton FboxK.

“Duhet cekur se ky është viti i tretë që shteti i Indisë ka refuzuar pjesëmarrjen e boksieres tonë në kampionate botërore 2018-2019-2023. Ne do të kërkojmë sqarime nga Federate botërore IBA për mos pajisje me viza, por jemi shumë të pikëlluar që nuk kanë marrë masa ndaj shtetit të Indisë, pasi besojmë se politika nuk duhet t’i ndalojë sportistët tanë të marrin pjesë. Dhe, si mundet IBA prapë të ja lejojë Federatës Indiane të boksit organizimin e kampionatit botëror kur më parë ka qenë e dënuar për mos lejimin e Kosovës dhe Pakistanit të marrë pjesë në kampionatet botërore 2018-2019.”

“Kjo nuk është hera e parë që ne si pjesë e Federatës Botërore IBA nuk lejohemi të marrim pjesë në ngjarje botërore si më parë që ka ndodhur në Indi, Serbi, Spanjë e tash prapë në Indi dhe ndjehemi të diskriminuar. Boksierët tanë të përfaqësueses përgatiten maksimalisht, arrijnë formë të mirë dhe është një ëndërr e madhe për ta që të jenë pjesë e këtyre kampionateve botërore. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë nga IBA që të angazhohet dhe të bëjë përpjekje që boksierët tanë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të kenë të drejtë të marrin pjesë në të gjitha ngjarje e mëdha si të gjithë boksierët e federatave të tjera që janë nën ombrellën e IBA-së”, e përfundon shkrimin Federata e Boksit, përmes zëdhënësit dhe sekretarit të saj, Latif Demolli. /Gazeta Express

Leave a Reply