Epilepsia, enigma e stigmatizimit të saj

0
399

Në mbarë botën, statistika e Ligës Botërore Epileptike tregon se 50 milionë persona vuajnë nga sëmundja neurologjike e epilepsisë, derisa për shumicën e tyre kjo sëmundje është një trishtim enigmatik, e cila përkufizon mënyrën e jetesës dhe stigmatizimin e tyre në familje, shoqëri, punë dhe më gjerë.

Në Maqedoni, shoqata qytetare e personave me epilepsi dhe prindërve të fëmijëve me epilepsi “Epilepsia Maqedoni”, thotë se mjafton që njerëzit të informohen më shumë për këtë sëmundje dhe duhet që gjithsecili të jep mbështetje morale për personat me këtë sëmundje.

“Në Maqedoninë e Veriut, 25.000 njerëz vuajnë nga epilepsia dhe sulmet e epilepsisë. Padyshim që pandemia ka shkatërruar aspektin emocional të këtyre personave, ndërsa ne si shoqatë mund të themi se shumica e personave që vuajnë nga kjo sëmundje, e kanë shumë të lehtë të bien në depresion dhe t’u shtohen vuajtjet psikike nga izolimi dhe stigmatizimi shoqëror. Qytetarëve në Maqedoni kjo sëmundje akoma ju duhet si enigmë kulte dhe e panjohur, ndërsa e shohin si diçka të çuditshme. Nga ky fakt mund të them se institucionet duhet të punojnë më shumë për ngritjen e vetëdijesimit qytetar mbi paragjykimin e kësaj sëmundjeje. Bashkërisht nëse punojmë, epilepsia do të konsiderohet si diçka normale dhe njerëzit të cilët janë të prekur nga epilepsia, shumë shpejtë do të integrohen dhe avancohen në shoqëri, duke e ditur që sëmundja e tyre është diçka normale dhe natyrore”, thotë për gazetën KOHA, Dejan Georgievski Buneski.

Nga ana tjetër, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, studentët e thonë se në aktivitetet e tyre, sëmundja e epilepsisë ka favor të veçantë dhe vazhdimisht trajtohen tema dhe projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë çështje. “Si Asociacion i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, trajtojmë tema dhe projekte të ndryshme, dhe normalisht që ne jemi munduar që vazhdimisht, sëmundjeve neurologjike – pra konkretisht sëmundjes së epilepsisë, t’i japim theksin dhe vëmendjen e veçantë përpara opinionit. Natyrisht që ne si mjek të ardhshëm e kemi obligim profesional, etik dhe njerëzor, që akoma më shumë të hapërojmë në trajtimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve, pavarësisht llojit apo kategorisë së sëmundjeve që vuajnë individë apo persona të caktuar”, thekson studenti i mjekësisë, Mario Petreski.

Ndërkohë, neurologut Blerim Ademi informon se epilepsia është sëmundje që nuk ndryshon nivelin intelektual apo aftësitë tjera, të cilat i posedon personi epileptik. “Sëmundja e epilepsisë në shoqërinë dhe rrethin ku jetojmë ne, vazhdon të shihet si një sëmundje e rëndë neurologjike. Për fat të keq, personat me sëmundjen e epilepsisë në një përqindje të madhe janë të stigmatizuar, diskredituar, margjinalizuar dhe nënvlerësuar. Shoqëria duhet ti pranojë personat me sëmundjen e epilepsisë në mënyrën më të mirë, pa pasur asnjë paragjykim të keq dhe asnjë lloj nënvlerësimi për to”, shprehet Ademi.

Ndryshe, sëmundja e epilepsisë, si një sëmundje normale neurologjike, sot nga bota dogmatike margjinalizohet si sëmundje e cila shkaktohet si pasojë e sulmit nga ngërçe apo sulme të djallit (demonëve) apo ideve tjera fundamentale që nuk zënë fill dhe bazë në studimet shkencore dhe akademike. Ndërkaq edhe sot e kësaj dite, në mbarë botë po luftohet për ngritjen e vetëdijesimit nga njerëzit për bindjen e tyre rreth epilepsisë, pasi kjo sëmundje – në të shumtën e rasteve ka shërim dhe kurohet në formë të trajtimit me barëra dhe metoda të ndryshme mjekësore, konkretisht nga neurologë të specializuar.

Leave a Reply