Duhani dhe lufta ime e brendshme!

0
912

Sot, dua të ndaj me ju një pjesë të jetës sime, një histori personale që shpresoj të shërbejë si frymëzim për ata që po luftojnë me varësitë e tyre.

Duhanin e fillova në moshën 14-vjeçare. Si nxënës i klasës së 7-të fillore, mendova se një cigare në dorë më bënte të dukesha më i madh dhe më i rëndësishëm. Ishte një vendim i nxituar dhe i paditur, por si shumë të rinj të tjerë, nuk e mendova gjatë pasojën e tij. Cigaret u bënë shoqëruese të përditshme, një varësi që nuk e kuptova sa e fuqishme ishte derisa u përpoqa ta lija.

Në moshën 38-vjeçare, pas 24 vitesh varësi, vendosa që ishte koha të ndaloja. E dija që duhani po dëmtonte shëndetin tim, por nuk ishte lehtë të përballesha me një zakon të tillë të rrënjosur thellë. Gjithmonë kemi gabime, ndoshta edhe në çdo frymëmarrje tonë, që nga mënyra se si marrim frymë e deri te gabimet e ndryshme që janë jashtëzakonisht të shumta dhe të vështira për t’i numëruar.

Por si e lashë duhanin? Një ditë, dola para një pasqyre dhe pashë veten në sy. E ndjeva dobësinë time dhe thashë me zë: “O Zot i im, më ndihmo sepse jam i pafuqishëm kundër këtij dushmani. Më ndihmo, Ti je i mëshirshmi, mëshirploti.” Nga ky moment, fillova një betejë të re. Për 14 vite, nuk kam thithur më asnjë cigare.

Kjo nuk ishte një rrugë e lehtë. Kishte ditë të vështira, momente kur dëshira për të pirë duhan ishte e papërballueshme. Por me ndihmën e Zotit dhe me forcën e brendshme që nuk e dija se e kisha, arrita të qëndroja i vendosur. Sot, ndihem më i fortë dhe më i shëndetshëm.

Çdo person që lufton me një varësi duhet të dijë se nuk është vetëm. Ka një forcë të brendshme brenda secilit prej nesh që mund të na ndihmojë të kapërcejmë sfidat tona më të mëdha. Duhet vetëm të besojmë në vetvete dhe të kërkojmë ndihmë kur na duhet.

Në fund, dua të ju inkurajoj të gjithëve: mos e nënvlerësoni kurrë fuqinë tuaj për të ndryshuar. Sado e vështirë të duket, çdo hap i vogël drejt një jete më të shëndetshme dhe më të lumtur është një fitore e madhe. Beteja ime me duhanin më mësoi se asgjë nuk është e pamundur kur kemi vendosmëri dhe besim në vetvete.

#DitaBotërorePaDuhan

Shkruan: Blerim Q. SARAMATI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here