Pronarët e Chelsea-t kërkuan falje këtë të enjte për sezonin katastrofik, që u mbyll pa fituar asnjë trofe dhe me vendin e 11-të Premier League. Ata besojnë se situata do të përmbyset shumë shpejt.
Nëpërmjet një letre drejtuar tifozëve, pronarët e Chelsea-t (një konsorcium i drejtuar nga miliarderi amerikan, Todd Boehly) kanë shprehur keqardhjen për sezonin e keq.
“Është e qartë se ka qenë një sezon zhgënjyes dhe ka shumë që mund të përmirësojmë. Gjatë kësaj periudhe të vështirë, tifozët tanë kanë mbështetur besnikërisht lojtarët tanë dhe ne u jemi mirënjohës.
Atmosfera në “Stamford Bridge”, kur ne luajtëm kundër Dortmundit, do të jetë në kujtesën tonë për një kohë të gjatë dhe është një kujtesë e rëndësishme se ku duam të jemi.”
Drejtuesit e Chelsea-t thonë se ata janë “optimistë” për të ardhmen dhe se janë “të emocionuar” për faktin se trajner do të jetë Mauricio Pochettino, i cili zëvendëson Frank Lampard, që nga ana e tij pasoi Graham Potter dhe Thomas Tuchel këtë sezon.
“Ne po punojmë për një ekip skautësh për identifikimin e talenteve, të udhëhequr nga Laurence Stewart dhe Paul Winstanley, të cilët do të na ndihmojnë të përmirësojmë skuadrën, që të jemi në gjendje të konkurrojmë vazhdimisht për të fituar Premier League, kupat në Angli dhe të jemi në nivelim më të lartë në Evropë”.