Çfarë është dhe nga se shkaktohet tokofobia

0
255

Emocionet rreth shtatzënisë janë të natyrshme për çdo grua! Pavarësisht nëse është një përvojë për herë të parë, përjetimi nis që në ngjizje e deri në momentet e ardhjes në jetë të një fëmije.

Nuk e kemi fjalën vetëm për emocionet e bukura, por edhe për rreziqet e mundshme shëndetësore, frikërat, pasiguritë që përjetohen gjatë nëntë muajve të pritjes së ëmbël.

Duket se për disa gra, ky shqetësim shkon përtej frikës së zakonshme, gati në një gjendje ekstreme! Kjo ndryshe njihet si tokofobi!

“Tokofobia është një frikë ekstreme ose patologjike ndaj shtatzënisë dhe lindjes,” thotë Aimee Danielson, një psikologe klinike në MedStar Georgetown University Hospital. Frika nga lindja cilësohet si normale te shumë gra, por për disa përfshin një frikë të theksuar nga vetë shtatzënia,” shtoi ajo.

Frika që një grua mund të përjetojë vazhdon më shumë se gjashtë muaj dhe mund t’i bëjë ato të ndihen të mbingarkuara, e kjo më pas i çon në përpjekje ekstreme për të shmangur shtatzëni ose lindjen e një fëmije. Tokofobia mund të dëmtojë rëndë aftësinë e një gruaje për të funksionuar në jetën e përditshme mes punës dhe aspektit shoqëror.

Tokofobia zakonisht klasifikohet si tokofobi primare ose sekondare. E para u përket individëve me frikë nga shtatzënia dhe lindja, të cilët nuk kanë përvojë të mëparshme të lindjes së fëmijëve, ndërsa e dyta u referohet atyre që e kanë zhvilluar këtë frikë pasi kanë kaluar të paktën një shtatzëni.

Çfarë e shkakton tokofobinë?

Ashtu si me fobitë e tjera, ekziston një gamë e gjerë shkaqesh dhe faktorësh rreziku, megjithëse shumica lidhet me traumat e së kaluarës. Tokofobia dytësore zakonisht zhvillohet pas një lindjeje traumatike, humbjes së një shtatzënie, ndërprerjes për shkaqe shëndetësore etj. Ndërsa, në atë primare, dëgjimi i përvojave traumatike të dikujt tjetër mund të jetë një faktor kontribues.

Si manifestohet?

Meqenëse frika në lidhje me lindjen e fëmijëve nuk është e pazakontë, frika e një tokofobiku mund të hidhet poshtë dhe të perceptohet si normale. Ndryshe nga frika e shëndetshme, tokofobia shkakton shqetësim të konsiderueshëm emocional për personin e prekur. Personi mund të dëshirojë një fëmijë, por frika nga lindja është shumë e madhe dhe kjo shihet si pengesë për ndërmarrjen e një hapi konkret.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here