Bie interesimi i kosovarëve për blerjen e druve, shitësit thonë se qytetarët po ngrohen më shumë me klima

0
8

Çmimi i druve për ngrohje këtë vit ka mbetur i njëjtë me atë të vitit të kaluar, rreth 60 euro për metër, ndërsa shitësit thonë se interesimi i qytetarëve për blerjen e tyre ka rënë, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre, një nga arsyet mund të jetë përdorimi më i madh i klimave për ngrohje.

Florian Haxholli, punëtor në shitjen e druve, thotë për Ekonomia Online se këtë vit çmimi është 60 euro për metër, me mundësi që të rritet në 70 euro. Sipas tij, interesimi i qytetarëve për blerjen e druve është i ulët.

“Çmimi sivjet është 60 euro për metër, por mund të bëhet 70 euro. Nuk ka të interesuar, tash më shumë me klima po ngrohen”, tha ai, tha Haxholli.

Ndërkohë, qytetarët kanë mendime të ndryshme për çmimet dhe mënyrën e ngrohjes gjatë dimrit.

Qytetari Enver Ahmeti thotë se familja e tij është ngrohur kryesisht me dru, por sipas tij, çmimi i tyre është i lartë.

“Ma së shumti me dru. Deri sivjet, sa ka qenë nana, me dru jemi ngrohur. Çmimi është i shtrenjtë, mos vet”, u shpreh Ahmeti.

Ndërkaq, Arsim Osmani vlerëson se përdorimi i klimave mund të ketë ndikuar në uljen e çmimit të druve.

“Po duket se pak ka ra, përdorimi i klimave me gjasë e ka ul çmimin e druve. Çmimi është i njëjtë si vitin e kaluar, se unë nuk i blej, e kam malin tim. Nxehem me dru sepse është më e shëndetshme”, tha Osmani.

Në anën tjetër, Afërdita Halili Pllana thotë se familja e saj përdor ngrohjen qendrore të Termokosit, por edhe këtë formë të ngrohjes e konsideron të kushtueshme.

“Na ngrohemi me Termokos, me ngrohje të qytetit. Valla, mendoj që çmimet nuk janë të përballueshme, janë shumë të larta”, theksoi ajo.