Avokati kryesor i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka reaguar për herë të parë pas aktgjykimit dënues ndaj klientit të tij në Hagë.
Përmes një postimi në platformën X, Mishetiq ka bërë të ditur se mbrojtja e Thaçit do ta apelojë aktgjykimin e Trupit Gjykues pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).
Sipas tij, mbrojtja pretendon se gjatë procesit gjyqësor janë bërë gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike, të cilat kanë cenuar drejtësinë e procesit.
“Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Trupit Gjykues, në një mënyrë që, sipas saj, nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë”, ka shkruar Mishetiq.
Ai ka thënë se mbrojtja vazhdon të qëndrojë në qëndrimin se ndërhyrjet e Trupit Gjykues kanë tejkaluar, sipas saj, kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës dhe kanë cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet nga standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
“Sipas Mbrojtjes, kjo mungesë paanshmërie tashmë është reflektuar në Aktgjykimin e Trupit Gjykues”, ka deklaruar avokati.
Mishetiq ka pretenduar gjithashtu se gjetjet e Trupit Gjykues për fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm janë mbështetur në prova që, sipas mbrojtjes, janë të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara.
Ai është ndalur veçanërisht te rasti i vrasjes së Behajdin Allaqit, duke pretenduar se Trupi Gjykues ka deklaruar publikisht se Thaçi ishte i përfshirë në këtë vrasje, ndërkohë që më herët kishte urdhëruar që çështja dhe provat përkatëse të mbaheshin konfidenciale.
“Kështu, sipas Mbrojtjes, Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht fajtor z. Thaçi për një vrasje, ndërsa në të njëjtën kohë ka mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik provat mbi të cilat është bazuar ky përfundim”, ka shkruar Mishetiq.
Sipas tij, Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim publik të këtyre provave.
Avokati ka theksuar se mbrojtja do të apelojë edhe për pretendime lidhur me shkeljen e të drejtave themelore të Thaçit për një gjykim të drejtë, të garantuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Z. Thaçi mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje”, ka theksuar Mishetiq.
Në fund, ai ka deklaruar se mbrojtja do ta paraqesë zyrtarisht Njoftimin për Apel pranë Panelit të Apelit, duke kërkuar korrigjimin e, siç i ka cilësuar ai, gabimeve faktike, ligjore dhe procedurale.
Mishetiq ka shtuar se respektimi i standardeve të drejtësisë procedurale është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë penale.















































