Legia e Varshavës koleksionoi një fitore mjaft të rëndësishme në shtëpi ndaj Zrinjskit në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve të Conference League. Falë këtij trepikëshi, polakët ruajnë kryesimin në Grupin E, aty ku është edhe Aston Villa e shtojnë kështu shanset për kualifikim.
Në sfidën kundër Zrinjskit, në fushë ishte edhe dyshja shqiptare e Legias, Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka. I pari tashmë nuk është më një surprizë dhe konsiderohet si një nga titullarët më të rëndësishëm për Legian.
Por, risia është Çelhaka i cili ka nisur të marrë minuta ndërsa pas ndeshjes tekniku i polakëve, Kosta Runjaic pati fjalë shumë të mira për ish-mesfushorin e Tiranës.
“Mendoj se Jurgen Çelhaka është duke u përmirësuar, forma e tij po vjen në rritje dhe po bëhet gjithnjë e më i mirë. Tani zbret në fushë me më shumë besim. Mori një karton të verdhë shumë shpejt (në minutën e gjashtë), por sërish ia doli të bënte një performancë shumë pozitive në rolin e numrit gjashtë. Jam shumë i lumtur për Çelhakën”, u shpreh Runjaic.
Në këtë sfidë, Çelhaka u aktivizua për 64 minuta ndërsa Muçi ishte në fushë për 85 minuta./SS