Ancelotti i destinuar për t’u larguar nga Reali, Perez i beson projektin e ri vetëm një trajneri

0
147

Carlo Ancelotti duket i destinuar për të drejtuar kombëtaren e Brazilit me drejtuesit e Federatës “Selecao” që nuk dorëzohen për shërbimet e italianit dhe kanë vendosur ta presin deri në qershorin e vitit 2024, atëherë kur 64-vjeçarit i skadon kontrata me Real Madrid.

Ancelotti do të udhëheqë edhe për një tjetër sezon “Los Blancos” me spanjollët që më pas do të përshëndeten me italianin për të nisur një cikël të ri, ku stafetën do ta marrin të rinjtë si Camavinga, Bellingham, Tchouameni, Rodrygo e të tjerë yje që pritet t’i bashkohen skuadrës sidomos edhe pas lamtumirës sezonin me ardhshëm me Modric e Kroos apo Nacho me Carvajal.

Për t’i besuar projektin e ri të klubit, presidenti Florentino Perez ka përzgjedhur një nga ato që Realin e njeh mirë. Fjala është për Xabi Alonso, të cilit i përfundon kontrata me Bayer Leverkusen pikërisht në verën e ardhshme. Tekniku spanjoll, edhe pse i ri në këtë zanat, ka treguar në Bundesligë se është një teknik me shumë perspektivë teksa i dërgoi “aspirinat” edhe në gjysmëfinalen e Europa League aty ku ekipi i tij u eliminua vetëm nga Roma e Jose Mourinhos.

Kujtojmë se edhe në kohën e tij si futbollist, Alonso ka qenë mjaft i vlerësuar te Real Madrid për qetësinë dhe maturinë në fushë, veti të cilat i ka trashëguar edhe si trajner. Te Reali besojnë se me Xabi Alonson do të “gjejnë” një Zidane të ri që mund të frymëzojë të rinjtë për të bërë hapin e madh dhe për t’i dërguar “Galaktikët” tek trofetë më të lavdishëm./SS

Leave a Reply