Sikur ne shqiptarët ta kishim afinitetit e përvetësimit të gjërave pozitive në vend të atyre negative, sot do të ishim njëri nga popujt më të zhvilluar të kontinentit evrpoian. Mirëpo, për fatin e keq, punët e mira nuk na bëjnë përshtypje aq sa na bëjnë ato negative. Për punët e mira flasim pak, kurse për rastet negative nuk ndalemi së foluri me ditë e javë të tëra.
Humbja e anës njerëzore, humbje e çdo gjëjë në jetë
Për dukuritë e shumëta negative të shoqërisë sonë, gjithnjë fajin ua kemi hudhur pushtimeve të gjata. Mirëpo, paslufta në Kosovë na i nxori në sipërfaqe të gjitha të metat dhe anët negative të shoqërisë sonë.
Gara e ashpër e politikanëve për të ardhur në pushtet dhe vrapimi pas privilegjeve të pushtetit, i ka joshur edhe qytetarët e varfër të ngarendin pas politikanëve të korruptuar me shpresën për grabituar diçka nga gjahu i pushtetarëve, të cilët u vardisën pas politikanëve milionerë duke i harruar shokët dhe miqtë e deridjeshëm, duke i harruar veprimtarët dhe aktivistët e ndershëm, duke i harruar kontributdhënësit dhe luftëtarët e vërtetë të lirisë sonë.
Ambiciet për pushtet dhe pasurim të paligjshëm, kanë bërë që të largohemi aq shumë nga vlerat tona, saqë gjithnjë e më pak po u ngjajmë atyre shqiptarëve të viteve të ’90-ta, të atyre që e ndanin çdo gjë që kishin më njëri-tjetrin.
Interesi apo djalli i keq mes shqiptarëve
Në të kaluarën nuk kishim shumë, por e kishim zemrën e madhe, ishim më human dhe më solidarë seqë jemi sot. Ishim të shtypur nga regjimi gjenocidial i Millosheviqit, por ishim më të bashkuar më njëri-tjetrin, e duanim dhe respektonim njëri-tjetrin sikur të ishim vëllëzër të të njëjtëve prindër.
Nërsa, sot në Kosovën e lirë, në vend të dashurisë vëllazërore ka hyrë interesi si djallë mes nesh, egoja dhe xholozia si thika pas shpinës së njëri-tjetrit.
Derisa në të kaluarën jo shumë të largët (viteve të ’90-ta) e ndanim kafshatën e gojës me njëri-tjetrin, sot mundohemi t’ia nxjerrim nga goja kafshatën tjetrit!
Një degëdisje dhe katandisje e tillë mes shqiptarëve nuk ka ndodhur asnjëher gjatë historisë.
“Meritat” për këtë katandisje të shoqërisë kosovare përgjatë këtyre viteve të lirisë dhe pas pavarësisë nuk i kanë pushtuesit, por partitë politike dhe politkanët e të gjitha llojeve dhe ngjyrave, të shndërruar në kusarë të pangopshëm të plaçkitjes së çdo pasurie publike dhe shtetërore nga djersa dhe mundi i qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.
Nepotizmi dhe klientelizmi, sëmundje kronike e partive politike
Nepotizmin, klientelizmin dhe punësimet familjare nëpër institucione shtetërore janë produkt i kësaj klase politike dhe jo meritë e Serbisë. Kjo e fundit (Serbia) ka qëllime grabitçare ndaj Kosovës dhe kjo nuk është befasi për qytetarët e Kosovës. Por, befasi e papritur ishte dhe është trajtimi i Kosovës si plaçkë lufte nga të gjithë politikanët e pasluftës pa përjashtim.
Të tillë i bëri egoja për pushtet dhe pasurim të pakufijshëm kundrejt një popullate të varfër, për të cilën nuk bënë asgjë të mirë.
Madje edhe investimet në infrastrukturën rrugore gjithnjë janë bërë në pragë të fushatave zgjedhore dhe sipas shtrirjes gjeografike të elektoratit të partive në pushtet.
Asnjëra nga partitë aktuale pa dallim pushtet dhe opozitë, nuk e kanë të drejtën të krrekosen që kanë bërë diçka të mirë për qytetarët e vendit, kur për 23 vjet rresht nuk arritën të krijojnë një bazë të sigurimeve shëndetësore për qytetarët e vendit.
Sigurimet shëndetësore janë bazike dhe jetike për të ardhmen e një shoqërie njerëzore, janë siguria dhe shpresa për jetë në shtetin e Kosovës. Lënja anash e sistemit publik shëndetësorë dhe fuqizimi i sektorit privat shëndetësorë, për qytetarët e varfër janë pak më tepër diskriminuese, janë vrastare për të moshuarit dhe të sëmuarit me gjëndje të rënduar socio-ekonomike dhe pa përkujdesje familjare.
Qytetarët vetëm numra për vota të kusarëve politikë
Moskujdesja e politikanëve në krye të shtetit (nuk bëhet fjalë vetëm pushtetarët aktualë) për të moshuarit dhe të sëmuarit është dhunim i të drejtave të njeriut, është fyerje dhe nënçmim ndaj shumicës së popullatës në Kosovë. Politikanët e sotëm, qytetarët e këtij vendi nuk i trajtojnë si njerëz por vetëm si numra gjatë fushatave zgjedhore.
Pensionet dhe ndihmat sociale tepër të ulëta dhe diskriminuese janë të pamjaftueshme për nevojat e përditshme të të moshuarëve dhe sëmuarëve të cilët burim të vetëm ekzistencial i kanë të ardhurat nga shteti.
Të privilegjuar për shërim në sistemin publik dhe privat shëndetësorë janë të afërmit dhe të përshtatshmit e pushtetit, gjegjësisht ata që kanë lidhje familjare me njerëzit e veshur me petkun e pushtetit dhe familjarët e militantëve partiak, përmes lidhjeve nepotike dhe korruptive.
Në të kundërtën, ata që nuk u përkasin këtyre kategorive, sorrollaten poshtë e lartë korridoreve të spitaleve duke bredhur nga njëri spital në tjetrin derisa t’i “shpëtojë” vdekja nga trajtimi ç’njerëzorë që ju bëhet në institucionet tona publike shëndetësore, ngase tek ato private nuk e kanë guximin as t’iu afrohen objekteve shkaku i gjëndjes së rënduar ekonomike.
Për habi, intelektualët kanë mbetur vetëm vrojtues të kësaj situate, pa e thënë asnjë fjalë dhe pa e bërë asnjë veprim në përmirësimin e gjendjes paradoksale të krijuar në vendin tonë. Heshtja është pajtim me të keqën dhe largim nga vlerat njerëzore. Në këtë situatë, vetëvetiu vjen pyetja logjike; “A do të kthehemi ndonjëherë kah e mbara?!”
Shkruan: Florim ZEQA
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online