Zviceranët e shohin veten mysafirë ndaj “Dardanëve” në Basel

0
204

Përfaqësuesja e Zvicrës ende nuk e ka siguruar kualifikimin në “Euro 2024” edhe pse është e para në grupin e saj. Zviceranët kualifikimin mund të konfirmojnë në njërën prej dy ndeshjeve të fundit të këtij cikli eliminator. Duelin e parë Zvicra e luan me Kosovës, ndërsa në të dytin përballet me Rumaninë. Megjithatë, te Zvicra po besojnë se në përballjen me Kosovën do ta sigurojnë kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani. Dueli mes Zvicrës dhe Kosovës zhvillohet të shtunën prej orës 20:45 në stadiumin e Baselit. Aktualisht Zvicra dhe Rumania i prijnë grupit me nga 16 pikë.

Fitorja e Zvicrës ndaj Kosovës përfundimisht do të bënte që ekipi i Murat Yakinit të paraqitej në “Euro 2024”. Kosova është e katërta me 10 pikë, ndërsa Izraeli i treti me 12 pikë. Mirëpo, te Zvicra po i frikësohen përballjes me “Dardanët” në stadiumin “St. Jakob’s Park”. Në fakt, Zvicra po e sheh veten mysafire në këtë ndeshje, duke pasur parasysh se Kosova do ta ketë përkrahjen e madhe nga shqiptarët. Për këtë fakt te Zvicra bazohen në miqësoren e luajtur në mars të vitit të shkuar në Zuerich, ku pjesa më e madhe e tifozëve ishin për Kosovën. Për duelin në Basel, stadiumi do të jetë i stërmbushur për shkak se biletat janë shitur brenda një ore muajin e shkuar.

“Ndeshja me Kosovën të shtunën mbrëma do të jetë shumë e nxehtë. Të gjitha biletat janë shitur dhe shumica e tifozëve do t’i përkrahin mysafirët”, ka shkruar sajti “SRF.ch” të enjten. “Zvicrës i mjafton fitorja në Basel për ta siguruar kualifikimin në Evropian, por nuk do të jetë aspak lehtë”.

Përballja e parë në këto eliminatore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, që u zhvillua në Prishtinë, përfundoi pa fitues – 2:2. Zviceranët, të enjten janë rikthyer nga Hungaria, ku luajtën 1:1 kundër Izraelit në ndeshjen e shtyrë. Futbollistët zviceran e kanë parasysh se duhet patjetër të kualifikohen në Evropian dhe këtë po shpresojnë ta bëjnë të shtunën mbrëma.

“I kemi edhe dy ndeshje deri në fund. Duhet, patjetër t’i fitojmë të dyja. Vetëm në këtë mënyrë i japim fund dilemave sa i përket kualifikimit në Evropian”, ka thënë mesfushori Dennis Zakaria.

Ndërkohë sulmuesi Noah Okafor ka insistuar se Zvicra do ta kompensojë barazimin ndaj Izraelit, duke triumfuar ndaj Kosovës. Për dallim prej Zvicrës, Kosova e mposhti 1:0 Izraelin të dielën mbrëma në Prishtinë.

“E kemi edhe një ndeshje të shtunën në Basel kundër Kosovën dhe do të mundohemi t’i përmirësojmë gjërat dhe ta kompensojmë barazimin me Izraelin. Është e rëndësishme të jemi pozitivë dhe ta kërkojmë fitoren në ndeshjen që na pret”, shtoi Okafor.

Pjesë e Zvicrës për ndeshjen me Kosovën janë Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Andi Zeqiri./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here