Të ardhurat mesatare mujore të një ekonomie familjare në Zvicër arritën në 7.209 franga gjatë vitit 2024. Megjithatë, 61 për qind e familjeve kishin të ardhura nën këtë nivel, ndërsa shpenzimet për konsum dhe banim janë rritur më shumë se të ardhurat.
Një ekonomi familjare në Zvicër kishte mesatarisht 7.209 franga të ardhura në muaj gjatë vitit 2024, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (BFS). Krahasuar me vitin 2023, kur të ardhurat mesatare ishin 7.186 franga, bëhet fjalë për një rritje prej vetëm 23 frangash.
Megjithatë, kjo shifër nuk pasqyron gjendjen e të gjitha familjeve, pasi 61 për qind e ekonomive familjare kishin të ardhura më të ulëta se mesatarja.
Në përllogaritje përfshihen pagat dhe shtesat, përfshirë pagën e 13-të, pensionet, përfitimet sociale, pagesat nga ekonomitë e tjera familjare, si dhe të ardhurat nga pasuria. Mesatarisht, një ekonomi familjare në Zvicër përbëhet nga 2,09 persona.
Tatimet dhe sigurimet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave
Nga të ardhurat bruto, familjet paguanin mesatarisht 3.240 franga në muaj për shpenzime të detyrueshme, që përbëjnë rreth 31 për qind të shumës bruto.
Pjesën më të madhe të këtyre pagesave e zinin tatimet, me mesatarisht 1.274 franga në muaj. Pas tyre vinin kontributet për sigurimet shoqërore, përfshirë AHV-në dhe fondin pensional, si dhe primet e sigurimit shëndetësor.
Të ardhurat ndryshojnë dukshëm edhe në varësi të përbërjes së familjes. Çiftet me fëmijë kishin mesatarisht 10.569 franga në muaj në dispozicion, ndërsa personat mbi 65 vjeç që jetonin vetëm kishin vetëm 3.591 franga.
Shpenzimet për banim dhe energji janë rritur
Gjatë vitit 2024, familjet në Zvicër shpenzuan mesatarisht 5.244 franga në muaj për konsum. Një vit më parë kjo shumë ishte 5.049 franga, pra 195 franga më pak, transmeton albinfo.ch.
Kategoria me shpenzimet më të larta ishte banimi dhe energjia. Për këto nevoja, familjet paguanin mesatarisht 1.546 franga në muaj, krahasuar me 1.449 franga në vitin 2023.
Sa para mbesin për kursime?
Pas zbritjes së shpenzimeve, ekonomive familjare u mbeteshin mesatarisht 1.578 franga në muaj për kursime. Kjo shumë përfaqësonte rreth 15,1 për qind të të ardhurave bruto.
Megjithatë, jo të gjitha familjet arrinin të kursenin. Sipas BFS-së, ekonomitë familjare në kategorinë me të ardhurat më të ulëta, nën 4.993 franga bruto në muaj, shpesh shpenzonin më shumë sesa fitonin.
Kjo gjendje vërehej veçanërisht te familjet e pensionistëve, të cilat për të mbuluar shpenzimet mujore përdornin edhe një pjesë të kursimeve dhe pasurisë së tyre. /Albinfo














































