Gonzalo García e kaloi një natë speciale në barazimin 1:1 mes Real Madridit dhe Al Hilal, e kurorëzuar me një gol dhe një emocion që vështirë se do ta harrojë ndonjëherë.
Sulmuesi i ri, produkt i akademisë së “Los Blancos”, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e tij, por normalisht që i mbeti merak që nuk fitoi skuadra, shkruan “Gazeta Express”.
“Është një ëndërr të jesh titullar me ekipin e parë, edhe pse barazimi e zbeh pak këtë natë speciale”, deklaroi fillimisht ai.
Talenti i “La Fábrica” foli me maturi të madhe, duke nënvizuar se ky moment e përfaqëson shpërblimin e punës së zhvilluar.
“Mund të shihet kjo mundësi si një kompensim. Mendoj se të gjithë ne që rritemi në akademi të klubit, punojmë me objektivin që të arrijmë deri këtu”, shtoi ai.
Në pyetjen se nëse ndihet i gatshëm për ta bërë kërcimin definitiv në skuadrën e parë, Gonzalo u përgjigj me vendosmëri, pa rënë pre e krahasimeve të pakëndshme.
“E dija se çfarë duhet të bëja. Nuk krahasohem me askënd, vetëm mundohem ta jap maksimumin dhe që ta ndjek rrugëtimin tim”, përfundoi talenti i Realit.