Një studim australian sugjeron se gratë që u kanë dhënë gji fëmijëve të tyre mund të kenë rrezik më të ulët për t’u prekur nga diabeti tip 2 në moshë të mesme dhe të shtyrë.
Studimi, i realizuar nga Universiteti i Sydneyt Perëndimor dhe i publikuar në revistën shkencore “Diabetes Care”, ka analizuar të dhënat e 53.276 grave mbi moshën 45-vjeçare.
Sipas rezultateve, gratë që kanë ushqyer me gji për të paktën tre muaj rezultojnë 14 për qind më pak të rrezikuara për t’u sëmurë nga diabeti tip 2, shkruan 04 Online.
Shkencëtarët kanë vërejtur gjithashtu se gratë që nuk kanë lindur fëmijë kanë nivel të ngjashëm rreziku me ato që kanë lindur.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se gratë që kanë lindur dhe nuk u kanë dhënë gji fëmijëve të tyre janë 50 për qind më të rrezikuara për t’u prekur nga diabeti tip 2, krahasuar me gratë që nuk kanë lindur.
Gjetjet e këtij studimi theksojnë se ushqyerja me gji mund të ketë ndikim pozitiv afatgjatë jo vetëm për foshnjën, por edhe për shëndetin e nënës./04 Online















































