Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa, ka refuzuar të komentojë raportimet për një përplasje me Dani Ceballos, pasi mesfushori mungoi befasisht nga lista për ndeshjen ndaj Real Betis, ndonëse nuk ishte i lënduar.
Sipas raportimeve, 29-vjeçari mund ta ketë zhvilluar tashmë ndeshjen e fundit me Real Madridin, pasi thuhet se ka ndërprerë marrëdhëniet me Arbeloan dhe nuk do të luajë më, megjithëse do të vazhdojë të stërvitet me ekipin.
I pyetur për këtë situatë, Arbeloa u shpreh: “Unë nuk përfshihem në debate publike për lojtarët e mi. Kanë kaluar 20 vite që kur u stërvita si lojtar i Real Madridit dhe gjëja e parë që mësova nga lojtarët me përvojë ishte se ajo që ndodh në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, mbetet në dhomën e zhveshjes së Real Madridit.”
Në javët e fundit, në kryeqytetin spanjoll po qarkullojnë edhe spekulime për trajnerin e ardhshëm, me Jose Mourinho që lidhet me këtë post. Arbeloa theksoi se mbetet i fokusuar vetëm te ndeshja e radhës.
“Jo, jam i fokusuar te ndeshja e radhës dhe zhurma nuk më pengon. E kuptoj të gjitha pyetjet që duhet të më bëni, por përgjigjja ime mbetet e njëjtë. Ajo që më intereson është ndeshja e nesërme dhe tri pikët, që për mua janë më të rëndësishmet për ekipin, lojtarët dhe klubin.”./04 Online















































