Si të ushtroni gjatë shtatëzanisë? Këshilla të rëndësishme për nënat e ardhshme

0
53

Të qëndruarit aktive gjatë shtatëzanisë mund të ndihmojë në ruajtjen e një gjendjeje të mirë fizike dhe në një shtatëzani më të qetë. Specialistët theksojnë se ushtrimet e moderuara ndihmojnë sistemin kardiovaskular, mbajnë disponimin e mirë, lehtësojnë lindjen dhe mundësojnë rikuperim më të shpejtë pas saj.

Aktiviteti fizik gjatë shtatëzanisë mund të ndihmojë edhe në uljen e rrezikut të disa komplikimeve, si tensioni i lartë i gjakut dhe shqetësimet që lidhen me shtimin e peshës dhe ndryshimet në ecje, shkruan 04 Online.

Për ushtrime të sigurta, rekomandohet të vishni rroba të lehta dhe komode, të përdorni atlete të përshtatshme, të ushtroni në sipërfaqe të rrafshët dhe të konsumoni ujë para, gjatë dhe pas aktivitetit fizik. Po ashtu, hapësira ku ushtroni duhet të jetë e ajrosur dhe me temperaturë të përshtatshme.

Ekspertët këshillojnë që ritmi i ushtrimeve të jetë i moderuar. Nëse gjatë aktivitetit ndjeni marramendje, neveri, frymëmarrje të vështirësuar, dhimbje barku apo kontraktime, ushtrimet duhet të ndërpriten menjëherë.

Para se të filloni me ushtrime, konsultimi me mjekun mbetet i domosdoshëm, sidomos nëse keni pasur gjakderdhje gjatë shtatëzanisë, shtatëzani me binjakë, hipertension, diabet ose probleme të zemrës dhe mushkërive.

Ndër aktivitetet që nuk preferohen gjatë shtatëzanisë janë sportet me kontakt fizik, aktivitetet me rrezik të lartë rrëzimi si skijimi dhe kalërimi, si dhe ushtrimet që kërkojnë kërcime, vrapim intensiv apo tendosje të tepërt të muskujve të barkut.

Një tjetër këshillë e rëndësishme është që para çdo ushtrimi të bëni nxemjen. Kjo ndihmon në përgatitjen e muskujve dhe nyjeve, duke ulur rrezikun e lëndimeve./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here