Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Shqipëria dhe Mali i Zi janë ndër vendet më të avancuara në procesin e integrimit evropian.
Duke folur nga Universiteti i Friburgut në Zvicër, ajo tha se për këto dy shtete nuk ka më dilema serioze rreth anëtarësimit, ndërsa afatet e vendosura për integrim janë “realiste dhe të arritshme”.
Kos theksoi se Mali i Zi është i pari në radhë për anëtarësim, ndërsa Shqipëria vjen menjëherë pas tij, duke vlerësuar reformat e ndërmarra në të dy vendet si kyçe për përparimin në proces.
Sipas saj, BE ka nisur tashmë hapat konkretë drejt hartimit të traktateve të pranimit, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm pas më shumë se një dekade.
Shqipëria synon mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, objektiva që Brukseli i konsideron të mundshme nëse vazhdojnë reformat.














































