Rohde: Arrestimi i zyrtarëve policorë i papranueshëm, politikanët serbë të reagojnë

0
176

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas ndalimit të pesë policëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.

Ai ka thënë se depërshkallëzimi duhet të ndodhë tani, derisa ka shtuar se veprimi i Serbisë është i papranueshëm dhe jo diçka që mund të pritet nga një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Rohde ka thënë se kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe se presim që politikanët serbë të ngrisin zërin për bashkëqytetarët e vet.

“Depërshkallëzimi tani! Ndalimi i zyrtarëve të zbatimit të ligjit të Kosovës, përfshirë serbë, nga autoritetet e Serbisë është i papranueshëm dhe sigurisht jo diçka që mund të pritet nga një vend kandidat për BE. Kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe ne presim që politikanët serbë të ngrisin zërin për bashkëqytetarët e vet”, ka shkruar Rohde në “X”.

Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti, ka thënë se pesë policë po mbahen në mbajtje, përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Përgjithëm të Policisë së Kosovë, Dejan Jankoviq.

“Serbia ndaloi në kufi përmbi 20 orë qindra qytetarë të vendit tonë, të cilët Serbinë e shfrytëzonin jo si destinim, por si tranzit për t’u kthyer apo për të shkuar në vendet e BE-së. Në mesin e të arrestuarve e të ndaluarve ishte edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, nga radhët e komunitetit joshumicë serb në Kosovë. Sipas informacioneve që kemi, ai është dërguar në Rashkë. Nga e kaluara e dimë që në rast të dërgimit atje, ata që ndalohen intervistohen nga akterë të ndryshëm të shtetit të Serbisë. Dje në ndalim kanë qenë gjithsej 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, serbë dhe shqiptarë, që janë ndaluar në pikëkalimet kufitare në Merdarë, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Pesë nga ta janë liruar, ndërkaq pesë ndodhën akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe Jankoviq. Por aty janë edhe Sinisha Miliq, Zoran Marinkoviq, Boban Simeunoviq dhe Ramiz Ibrahimi”.

Dje gjatë ditës shumë udhëtarë kosovarë ishin bllokuar nga policia serbë në kufirin me Hungarinë dhe Kroacinë dhe pas shumë orësh ata u liruan për ta vazhduar rrugën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here