Rama: Thaçi është Zelensky i Kosovës

0
135

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij zyrtare në Londër, ka folur edhe për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Shqipëria do të ngrejë zërin kudo që është e nevojshme për të mbrojtur luftën që UÇK zhvilloi për lirinë e Kosovës ndaj gjenocidit të Millosheviçit. Ky ishte mesazhi që kryeministri Rama dha nga Londra ky u pyet lidhur me fjalimin që ai mbajti kundër rezolutës së Dick Marty-t në KiE.

Duke hedhur një paralelizëm mes Zelenskyt dhe Thaçit, ku ky i fundit ndodhet në burgun e Hagës për krime lufte, Rama tha se me këtë logjikë shpreson që presidenti i Ukrainës të mos përfundojë në burg një ditë.

“E vërteta është më e rëndësishme se ajo qe njerëzit mendojnë kur ajo është e parehatshme. Disa njerëz dhe autoritete apo kolegë të mitë nuk duan ta shohin. Ajo nuk ka asnjë të bëjë me çështjen në gjykatë. Ka të bëjë me një pjesë të saj, që është mëkati fillestar që ka sjellë këtu, po kjo është e vërteta, është një kurth rus dhe kjo është e qartë dhe ju heq kapelën që kurthi i tyre vijon të funksionojë dhe i gjithë komuniteti europian po punon në bazë të një sajese ruse.

Në të kundër dikush duhet të më thotë ku janë organet që janë hequr nga trupat dhe po trafikoheshin në perëndim, ku janë? Nuk ka prova.

Ky raport është një turp për KiE dhe e vërteta do të dalë dhe shpresoj që Zelensky të mos përfundojë në burg një ditë, me këtë logjikë. Millosheviçi u dënua si kriminel lufte, ndërkohë që Hashim Thaçi u pagëzua si “George Washington i Kosovës”, ai është Zelensky i Kosovës në atë kohë. Prandaj shpresoj që me këtë logjikë Zelensky të mos shkojë në burg për krime lufte.

Të akuzosh për krime lufte dikë që ka udhëhequr një kryengritje kundër një agresori që kërkonte gjenocid etnik, kjo është absurde”, tha Rama.

Ish-presidenti Hashim Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin akuzohen për krime lufte. Ndaj tyre rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç’njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991.

Leave a Reply