Messin apo Ronaldon, me cilin do të preferonte të punojë trajneri Fabregas në Como?

0
26

Cesc Fàbregas ka folur për rrugëtimin e tij si trajner dhe për eksperiencën që po e përjeton te Como, klub të cilin brenda tre vitesh e ka rikthyer në Serie A dhe e ka çuar për herë të parë në histori në Champions League, pas vendit të katërt të sezonit të kaluar. 

Në intervistën e dhënë për drejtorin e Corriere dello Sport, Ivan Zazzaroni, Fàbregas i veçoi disa ndeshje që e kanë bërë veçanërisht krenar për futbollin e treguar nga skuadra e tij, përcjell “Gazeta Express”.

Ai e përmendi fillimisht fitoren 3-0 ndaj Lazios në udhëtim, por edhe ndeshjen e kthimit në Romë, ku, sipas tij, Como e shfaqi futbollin që e emocionon më shumë.

Fàbregas e kujtoi përdorimin e Caqueret si “9 fals”, ndërsa në formacion ishin edhe Nico Paz, Baturina, Perrone e Da Cunha, me Sergi Roberto që hyri më vonë në lojë.

Një tjetër ndeshje që spanjolli e veçoi ishte fitorja 2-0 ndaj Juventusit në Allianz Stadium.

“Edhe duke luajtur me një strukturë pak më ndryshe, skuadra e tregoi një personalitet që më pëlqeu shumë”, tha Fàbregas.

Messi apo Cristiano Ronaldo?

Më pas, intervista kaloi te një pyetje shumë interesante: cilin do ta kishte më stimuluese ta stërviste, Cristiano Ronaldon apo Lionel Messin?

Fàbregas e zgjodhi Messin. “Besoj Leon, sepse e njoh. E di tashmë çfarë mund t’i kërkoj, çfarë di të bëjë, cili është pozicioni më i mirë për të dhe cili është konteksti më i mirë”, u shpreh ai.

Sa i përket Cristiano Ronaldos, Fàbregas e pranoi se do të ishte një sfidë shumë e rëndësishme.

“Do të ishte një sfidë e madhe. Do të duhej ta njihja pak më shumë”, tha trajneri i Comos.

Në fund, ai e theksoi lidhjen e veçantë që e ka me Messin, pasi të dy janë njohur që nga periudha e tyre te Barcelona.

“Leon e njoh, është miku i gjithë jetës. E njoh në mënyrë perfekte. A do t’i thosha ‘bëj këtë, bëj atë’? Jo, por mund të flisnim për këtë”, përfundoi Fàbregas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here