‘Qeveria nën hije’ apo PDK nën hijen e dështimeve të mëdha!

0
528

Edhe pse ishte paralajmëuar se do të ndodhë në muajin shkurt, ‘Qeveria nën hije’ e PDK-së erdhi në pjesën e dytë të muajit Maj. Një kujtesë e shkurtër për gjeneratat e reja: veprim të ngjashëm, ky subjekt politik e kishte bërë edhe në vitet 2005-2007 gjersa ishte opozitë nën drejtimin e Hashim Thaçit.

Shkoi Rugova n’përjetësi, erdh Hashimi n’Qeveri

Atë kohë, Qeveria e Kosovës drejtohej nga Bajram Kosumi, ndërsa PDK nën udhëheqjen e Hashim Thaçit kishte krijuar modelin e “qeverisjes në hije” i cili përbëhej nga 14 departamente, dy prej të cilave drejtoheshin nga shoqëria civile.

Ideja për krijimin e këtij kabineti ishte hedhur nga udhëheqësi i opozitës, Hashim Thaçi, i cili ishte i pakënaqur jo me përbërjen e qeverisë Kosumi dhe punën e saj, por me LDK-në në qeverisje.

Pas shkuarjes në amshim të presidentit Ibrahim Rugova (21 Janar 2006),në vitin 2007, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare ku PDK mori 34 për qind të votave dhe Thaçi u bë kryeministër.

Në janar të vitit 2008, ky i fundit e mori edhe zyrtarisht detyrën e tij të re, ndërsa më 17 shkurt të po atij viti, shpalli pavarësinë e cunguar të Kosovës pa sovranitet të plotë dhe pa simbole kombëtare.

Jam thellësisht i bindur se, sikur të mos ndodhte vdekja e parakohshme e liderit historik të LDK-së dhe e shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi, LDK do të ishte zonjë e parë e skenës politike dhe PDK-ja ende do të ishte duke mrizuar me ‘Qeverinë e parë nën hije’.

PDK nën hijen e dështimeve të mëdha

Pra, krijimi i një ‘Qeverie nën hije’ nga ana e PDK-së, përveqse nuk është risi, nuk paraqet as garanci për opozitarizëm të fuqishëm, e aq më pak për kthim në qeverisjen e vendit. Në fakt kalkulimet e PDK-së përmes ‘Qeverisë nën hije’ janë për poena politik, pa ndryshuar asgjë në mentalitetin e saj qeverisës, me të njëjtin kurs të opozitarizmit të para 17 viteve më parë!

Një ‘Qeveri nën hije’ e udhëhequr nga një parti që ka udhëhequr shtetin një kohë të gjatë (për mbi 10 vite) pa i sjellë të mira vendit, vështirë se do të krijojë kredibilitet për qytetarët. 

Për më pak se kaq, PDK me këtë strategji të tejkaluar, nuk do të jetë alternativë që e mposhtë në zgjedhje Lëvizjen Vetëvendosje!

Ajo që mund t’i sjellë PDK-së ‘Qeveria nën hije’ është përafrimi me LVV-në si filialë e saj. Bashkëqeverisja PDK-së me LVV-në për aq sa do ta forconte, do ta dobësonte pozicionin e saj si parti serioze politike.

Vazhdimi i qeverisjes së LVV-së dhe rimarrja e pushtetit nga ana e PDK-së varen nga reformimi dhe stabiliteti politik i LDK-së!

Ndarjet e LDK-së i sollen në pushtet PDK-në dhe LVV-në

Sikurse ndarja e parë e LDK-së e vitit 2006-të, që e solli në pushtet PDK-në, ashtu edhe ndarja e dytë e vitit 2021 e solli në pushtet LVV-në! Pa dashur të ndalem në shkaqet dhe detajet e ndarjeve fatkeqe të LDK-së (të njohura për opinionin), të dy rastet ishin investime nga jasht dhe tradhëti nga brenda.

Mbetët të shihet, se a do të jetë në gjendje kryetari i ri i LDK-së që të rekuperoj pasojat e ndarjes së fundit, e cila e shtriu për tokë LDK-në dhe fuqizojë Lëvizjen Vetëvendosje.

Dihet mirëfilli se ngritja e LVV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 nuk erdhi si produkt i votave të elektoratit të saj, por nga votat e elektoratit të pakënaqur dhe të mashtruar të LDK-së!

Mirëpo, më shumë sesa ndarjet, LDK-në e dëmtuan qeverisjet me rivalët politik, në veçanti me PDK-në, nga e cila u shfrytëzua katërçipërisht, jo si partner, por si patericë e saj!

Modelet evropiane të qeverisë nën hije, modele të gabuara për Kosovën

Qeveria nën hije, në praktikën evropiane, zë një vend të rëndësishëm si model alternativë ndaj qeverisjes së shumicës politike. Në parlamentarizmin e Britanisë së Madhe, qeveria nën hije është praktikë e përhershme për shkak të sistemit politik i cili është i ndërtuar mbi dy parti të mëdha. Në fushëbetejën politike angleze, partia opozitare vazhdimisht ofron alterantiva qeverisëse ndaj politikave publike të prezantuara nga ekzekutivi britanik. Përtej praktikës angleze, modeli i qeverisë nën hije është i pranishëm edhe në Gjermani, Francë e vende të tjera evropiane.

Mirëpo në Kosovën e fragmentizuar në shumë parti të vogla politike, modeli i qeverisjeve nën hije nuk shkon për shtati për disa arsye: të shkallës së ulët të zhvillimit ekonomik, pabarazisë sociale, kulturës politike dhe nivelit të vetëdijes qytetare.

Shkruan: Florim ZEQA

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply