Prizren | Këto kategori të pacientëve do të përfitojnë mbështetje financiare nga komuna

0
5021
Foto: Arkiva - Komuna e Prizrenit

Personat me sëmundje të rënda dhe specifike në Komunën e Prizrenit, do të përfitojnë mbështetje financiare.

Siç ka njoftuar Drejtoria e Shëndetësisë, personat e sëmurë me CA dhe tumore, fëmijët deri në 18 vjeç me sëmundje të rënda, si dhe shërbyesit civil të administratës komunale me sëmundje të rënda, janë kategoritë që pritet të përfitojnë nga kjo mbështetje, shkruan 04 Online.

“Drejtoria Komunale e Shëndetësisë, duke filluar nga muaji shkurt, ka filluar pranimin e kërkesave për mbështetje financiare për kategoritë e përcaktuara me Rregulloren për Ndarjen e Subvencioneve K.PZ.nr. 01\011-9014 të Komunës së Prizrenit si dhe rregulloren 02/2020 për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores nr. 01/011-9014 për Ndarjen e Subvencioneve.
Sipas kësaj rregulloreje, mbështetja financiare u mundësohet këtyre kategorive:

  1. Personave të sëmurë me CA dhe Tumore,
  2. Fëmijëve deri në 18 vjeç, me sëmundje të rënda siç janë: sëmundjet neuromuskulare – distrofi muskulare, paraliza cerebrale, sëmundjet metabolike, diabet insulin vartës,
  3. Shërbyesit Civil të administratës Komunale me sëmundje të rënda.
    Personat të cilët u takojnë kategorive të lartshënuara dhe që janë qytetarë të Komunës së Prizrenit, mund të aplikojnë për mbështetje financiare për këtë vit deri me datën 15 nëntor 2023, kur edhe do të mbyllet aplikimi.
    Dokumentacioni i kërkuar për aplikim përfshin:
  4. Kopjen e letërnjoftimit (për fëmijët kopja e letërnjoftimit të njërit prind),
  5. Ekstraktin e lindjes,
  6. Dokumentacionin mjekësor që dëshmon sëmundjen përkatëse (për të sëmurët me Ca, Tumore, raporti nga operimi, raporti i biopsisë, raportet e ndryshme të terapive dhe një raport i vitit përkatës i vizitës te profesionistët shëndetësorë përkatës si onkologu, hematologu, kirurgu tarakal, etj., ndërsa, për fëmijët raportet përkatëse mjekësore që dëshmojnë sëmundjen dhe një raport i vitit përkatës lidhur me vizitat e realizuara brenda këtij viti lidhur me sëmundjen)
  7. Konfirmimi i xhirollogarisë bankare rrjedhëse, në emër të personit i cili është i sëmurë dhe përfiton mbështetjen financiare.
    Të gjithë këto dokumente, paraprakisht duhet të dërgohen për verifikim në zyrat e Drejtorisë së Shëndetësisë, tek objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, Kati i 3-të, dhe pas verifikimit nga zyrtarët e DKSH-së të njëjtat të duhen protokolluar në sportelet e Administratës Komunale”, thuhet në njoftim./04 Online

Leave a Reply