Politika që vret kulturën: Ansambli “Emin Duraku” i Zhurit pa shtëpi të kulturës pas 15 vitesh premtime boshe!

0
394

Projekti për ndërtimin e Stadiumit të Zhurit, Pishina Olimpike e Prizrenit dhe teleferiku për në kalanë e Prizrenit, janë dëshmi të fatit të keq të projekteve që bashkëfinancohen midis ministrisë dhe komunës. Këto projekte janë shndërruar në shembuj të premtimeve të parealizuara, ku burokracia dhe interesat politike kanë zënë vendin e përparësive të qytetarëve.

Por do të ndalemi te një projekt tjetër, ende i parealizuar, që nuk u përmend më lart: Shtëpia e Kulturës së fshatit Zhur. Ansambli “Emin Duraku” i Zhurit është një aset kombëtar që kalon kufijtë e Kosovës për vlerat e larta artistike dhe historike që sjell. Ky ansambël, që së shpejti feston 80-vjetorin e themelimit, që nga viti 2009 është në pritje të hapësirave të duhura ku mund të zhvillojë aktivitetet e tij.

Fatkeqësisht, kjo pritje duket se nuk ka të mbaruar. Edhe pse ministri aktual i Kulturës është nga Prizreni, edhe pse kemi disa deputetë të pozitës nga ky qytet, të cilët fshatin Zhur e kanë hambar votash, zëri për temat e lartpërmendura nuk është ngritur asnjëherë. Këta përfaqësues merren me temat nacionale, rajonale dhe globale, duke harruar përgjegjësitë e tyre më të afërta dhe më të prekshme për komunitetin që i zgjodhi.

A është fati i këtyre projekteve një pasqyrë e politikave të dështuara dhe neglizhencës?

Padyshim që po. Është koha që ne, si qytetarë, të kërkojmë llogari dhe të nxisim ndryshim. Nuk mund të vazhdojmë të pranojmë këtë status quo, ku projektet e nevojshme për zhvillimin e komunitetit tonë ngecin për shkak të interesave të ngushta politike dhe neglizhencës institucionale.

Në fund të fundit, janë këta politikanë që vijnë dhe kërkojnë votat tona dhe premtojnë zhvillim, por harrojnë premtimet sapo mbyllen kutitë e votimit. Është detyra jonë t’i kujtojmë dhe t’i mbajmë përgjegjës për premtimet e tyre. Përndryshe, projekte si Shtëpia e Kulturës së fshatit Zhur do të vazhdojnë të mbeten thjesht ëndrra të parealizuara, duke e lënë komunitetin tonë pa mundësi kulturore dhe artistike që meritojmë.

Shkruan: Blerim Q. SARAMATI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here