PodujeVVa

0
415

Në Llap, për herë të parë pas 20 vjetësh është ndërruar pushteti. Ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, me kandidatin e saj Shpejtim Bulliqin. Sipas Kurtit, kjo nuk është zgjedhje, kjo është referendum.

Lëvizja Vetëvendosje, që në Podujevë përfaqësohet nga deputetë si Saranda Bogujevci, ndër vite ka thelluar rrënjët në një nga bastionet e padiskutueshme të LDK’së.

Fryti i saj në këtë komunë është fitorja kundër kandidatit të LDK’së, Nexhmi Rudarit. Kjo nuk konsiderohet humbje e Rudarit, sa konsiderohet humbje e shefit të tij, Agim Veliut.

Kryetari shumëvjecar i Podujevës, nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, doli vetë për t’ia kumtuar elektoratit se LDK’ja i humbi zgjedhjet në vendlindjen e tij.

Kryetari i Lëvizjës Vetëvendosje, Albin Kurti, mbajti një fjalim në Llap. Tha se fitorja e VV’së nuk është thjesht zgjedhje, por është referendum.

“Ka fituar qytetari i Podujevës që vendosi për VV dhe Shpejtim Bullqinin për kryetar. Kjo nuk është zgjedhje, kjo është referendum. Jo vetëm sonte por edhe në të ardhmen në Kosovë do të ketë referendume sepse populli është përcaktuar për Vetëvendosjen”, la thënë Kurti.  

Me 51.64 për qind të votave, Bulliqi arriti të fitojë në Podujevë, pa pasur nevojë të shkohet në balotazh.

Kryetari i ri i Podujevës ka qenë për shumë vjet pjesë e pushtetit të vjetër, Megjithatë VV’ja si subjekt po e provon për herë të parë qeverisjen aty.

Fushata zgjedhore në Llap është parë më shumë garë mes Albin Kurtit e Agim Veliut, sesa e dy kandidatëve. Sepse, ata kishin nisur luftën mes vete në Qeveri, kur Kurti ishte kryeministër, e Veliu u bë ministër i Punëve të Brendshme. Kurti e shkarkoi nga pozita, e kjo i kushte me rrëzim nga pushteti.

“Shej’ nuk ma ka lënë”, kishte thënë Veliu, pasi ish-kryeministri Kurti e shkarkoi.

Një shenjë Veliut iu bë sonte kur LVV’ja ia mori LDK’së një nga bastionet e fundit të saj.

Podujeva shkoi në zgjedhjet e parakohshme pasi kryetari i saj, Agim Veliu, la detyrën për t’u bërë pjesë e qeverisë në muajin shkurt të këtij viti. Në garën për kryetar të Podujevës kanë qenë Shpejtim Bulliqi i LVV’së, Nexhmi Rudari i LDK’së dhe Naim Fetahu i PDK’së.

Shpejtim Bulliqi do ta udhëheqë komunën për 8 muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjet komunale në tërë Kosovën, pra në fund të vitit 2021. /Express

Leave a Reply