Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq ka dezinformuar se gjoja “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qëllimisht po kryen një fushatë të spastrimit etnik, që të dëbojë serbët nga veriu i Kosovës”. Në të njëjtën kohë, zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin dezinformoi për gjoja “spastrimin etnik” gjatë një takimi me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu, në Moskë.
Petkoviç tha:
“Ngjarjet e fundit çojnë në drejtim të dëbimit definitiv të popullatës serbe nga krahina dhe krijimit të një Kosove të pastër etnikisht, që është ide dhe aspiratë e pa maskuar e Albin Kurtit”, tha Petkoviq sipas raportimeve të mediave serbe.
Vulin tha:
“Politika e autoriteteve të Prishtinës është spastrimi etnik i Kosovës nga serbët.”
Ai falënderoi Rusinë për respektimin e vazhdueshëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.
Analiza:
Deklaratat e Petkoviq dhe Vulin me diplomatët rusë kontribuojnë në destabilizimin e situatës dhe nxisin frikën tek serbët në Kosovë, gjë që ndërlikon përpjekjet për vendosjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa nga ana tjetër, ambasadori rus Bochan-Kharchenko dhe Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë mbështesin rregullisht këtë lloj dezinformimi duke këmbëngulur në respektimin e Rezolutës 1244.
Në lidhje me arrestimet që pretendon Petkoviq, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se kanë qenë rezultat i shkeljes së ligjit.
Personat e arrestuar dyshohen për vepra të veçanta kriminale, përfshirë dhunën para komunës së Zveçanit, gjë që tregon se arrestimet janë të bazuara në ligj dhe jo në përkatësi etnike.
Pretendimet e Vulin se autoritetet e Kosovës po kryejnë spastrim etnik të serbëve kanë për qëllim të krijojnë një imazh negativ të Kosovës dhe të inkurajojnë mbështetjen ndërkombëtare për Serbinë.
Vulin njihet për akuza të ngjashme që rezultuan të ishin asgjë më shumë se propagandë.
Nga ana tjetër, zyrtarët rusë, përfshirë Shoigun, përdorin pretendime të ngjashme për spastrim etnik për të mbështetur politikat serbe dhe për të krijuar presion shtesë mbi komunitetin ndërkombëtar.
Beogradi shpesh i përdor këto ngjarje për të manipuluar opinionin publik, duke i paraqitur autoritetet e Kosovës si agresorë, edhe pse veprimet e ndërmarra ishin në përputhje me ligjet dhe pa paragjykime etnike. /TheGeopost