Përvjetori i themelimit të PDK, Hamza: Jemi forca politike me kontributin më të madh në lirinë e pavarësinë e Kosovës

0
4

Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, ka uruar anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të Kosovës për ditëlindjen e 27-të të kësaj partie.

Hamza tha se PDK është forca politike me më së shumti kontribut në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, ndërsa përmendi edhe ish-kryetarët e partisë që gjenden në Hagë.

“Sot është ditëlindja e PDK-së, 27-vjetori i familjes sonë politike. Partia Demokratike e Kosovës lindi në shpirtin e rezistencës, atëherë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për forcë, guxim, vizion dhe përkushtim. Jemi forca politike me kontributin më të madh në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Jemi partia e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, që nuk u thyen dhe nuk u përkulën kurrë”.

Hamza tha se me mbushjen e 27 vjetëve si parti politike “përgjegjësia jonë është ta ruajmë trashëgiminë politike dhe ta vazhdojmë angazhimin për një Kosovë me më shumë zhvillim, mundësi dhe perspektivë për qytetarët e saj”.

“Jemi krenarë për të kaluarën. Qëndrojmë të bashkuar në të tashmen. Dhe punojmë me përgjegjësi për të ardhmen e brezave që vijnë. Gëzuar 27-vjetorin, anëtarë, struktura dhe mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës!”.