Kryeministri Albin Kurti pasditen e së premtes priti në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava.
Zyra e Kryeministrit në një njoftim tha: “Teksa kryeministri Kurti tha se është përherë kënaqësi të takohet me të, Myftiu Tërnava e uroi për presidenten e re Justina Shiroka Pula, zgjedhja e së cilës shmangu zgjedhjet e katërta parlamentare në më pak se dy vjet dhe mundësoi kthimin te stabiliteti institucional”.
ZKm bëri me dije se në takim u diskutua për “bashkëpunimin e mirë dhe ecurinë e projekteve të përbashkëta, solidaritetin e humanitetin qytetar dhe vlerat shoqërore e kombëtare”, për situatën e dinamikat politike në rajon e më gjerë.
Gjithashtu, Kurti e Tërnava folën edhe për “aktgjykimin e padrejtë dhe të pasaktë në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, si dhe për punën përpara për sukses në apel”.
“Kryeministri shprehu mirënjohje dhe falënderime për rolin konstruktiv dhe kontributin e çmuar të Bashkësisë Islame të Kosovës për popullin tonë”.















































