Ulçera në lukth: Shenjat që nuk duhet t’i neglizhoni

0
30

Ulçera në lukth, e njohur edhe si ulçera gastrike, është një plagë që krijohet në shtresën mbrojtëse të brendshme të stomakut. Ajo mund të shkaktojë dhimbje, djegie dhe shqetësime të tretjes, ndërsa në raste të patrajtuara mund të çojë në komplikime serioze.

Sipas Institutit Kombëtar amerikan për Diabetin dhe Sëmundjet e Tretjes dhe Veshkave (NIDDK), dy shkaktarët kryesorë të ulçerës janë infeksioni me bakterin Helicobacter pylori (H. pylori) dhe përdorimi i shpeshtë ose afatgjatë i barnave kundër dhimbjes, si ibuprofeni, aspirina dhe naprokseni.

Cilat janë shenjat më të zakonshme?

Simptomat mund të ndryshojnë nga personi në person, por më të shpeshtat janë:

  • Dhimbje dhe djegie në pjesën e sipërme të barkut, veçanërisht në zonën e stomakut.
  • Fryrje e barkut dhe ndjenjë e rëndesës pas ushqimit.
  • Të përziera dhe të vjella.
  • Ngopje e shpejtë, edhe pas konsumimit të sasive të vogla të ushqimit.
  • Urth dhe probleme me tretjen.
  • Humbje e oreksit dhe rënie në peshë, në disa raste.

Dhimbja mund të shfaqet kur stomaku është bosh, gjatë natës ose pas ushqimit. Megjithatë, disa persona mund të kenë ulçerë pa simptoma të dukshme.

Çfarë e përkeqëson problemin?

Përdorimi i pakontrolluar i barnave anti-inflamatore, pirja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit mund të ndikojnë negativisht në shërimin e ulçerës. Ushqimet pikante dhe kafeja nuk konsiderohen shkaktarë kryesorë, por te disa persona mund t’i përkeqësojnë simptomat.

Si diagnostikohet dhe trajtohet?

Për diagnostikimin mund të përdoren testi i frymëmarrjes, analiza e jashtëqitjes për H. pylori dhe gastroskopia, e cila mundëson ekzaminimin e drejtpërdrejtë të stomakut.

Trajtimi varet nga shkaku. Nëse zbulohet infeksioni me H. pylori, mjeku mund të përshkruajë kombinim antibiotikësh dhe barna që zvogëlojnë aciditetin e stomakut. Në rastet kur ulçera shkaktohet nga barnat kundër dhimbjes, mund të nevojitet ndryshimi ose ndërprerja e tyre nën mbikëqyrjen e mjekut.

Kur kërkohet ndihmë urgjente?

Të vjellat me gjak, jashtëqitja e zezë si katran dhe dhimbja e papritur, shumë e fortë e barkut janë shenja alarmuese që kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore.

Ulçera në lukth është një gjendje që në shumicën e rasteve trajtohet me sukses, por identifikimi i shkaktarit dhe trajtimi në kohë janë thelbësorë për parandalimin e komplikimeve dhe rikthimit të saj./04 Online/