Një burrë, i cili udhëtoi për në Spanjë duke përdorur gabimisht pasaportën e gruas së tij, thotë se ende nuk e kupton se si arriti të largohej nga Mbretëria e Bashkuar dhe të mbërrinte në destinacion pa vënë re askush se ai po udhëtonte me dokumentin e dikujt tjetër.
Ben Moore, nga Talke në qarkun anglez të Staffordshire-it, e kuptoi se diçka nuk shkonte pak pasi zbriti nga një fluturim i Ryanair-it, ndërsa priste në radhë për kontrollin e pasaportave në Aeroportin e Alicante-s, raporton BBC.
“E hapa pasaportën dhe, për tmerrin tim, pashë foton e gruas sime. Miqtë me të cilët po udhëtoja më thanë se u zbeha menjëherë,” tregoi Moore.
Ryanair deklaroi se kontrollet në Aeroportin e Mançesterit – nga ku u nis Moore – janë kryer nga një kompani e jashtme shërbimesh tokësore, dhe se aktualisht po hetojnë incidentin.
Moore po udhëtonte drejt Alicante-s me miqtë e tij për një festë beqarie. Fillimisht, ai mendoi se thjesht kishte marrë me vete pasaportën e gruas bashkë me të tijën. Ai iu drejtua policisë spanjolle, të cilët – pavarësisht barrierës gjuhësore – dukeshin po aq të habitur sa ai që kishte arritur të mbërrinte në Spanjë pa pasaportën e tij.
“I kontrollova të gjitha bagazhet e mia rreth tetë herë, duke menduar se nuk kishte mundësi të kisha mbërritur në Alicante pa pasaportën time,” tha ai.
Moore vuri në dukje se oficerët e policisë nuk mund ta besonin që ai kishte mbërritur në Spanjë duke përdorur pasaportën e gruas së tij. Ai shtoi se u trajtua “pak a shumë si një kriminel” dhe se e gjithë situata ishte “disi e frikshme”.
Ai zotëron një pronë në Spanjë dhe, siç thotë vetë, udhëton atje disa herë në vit.
Këtë herë, megjithatë, udhëtimi i tij përfundoi me një kthim në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa miqtë e tij vazhduan pushimet pa të.
Aeroporti i Mançesterit deklaroi se kompanitë ajrore janë përgjegjëse për kontrollin e pasaportave, ndërsa aeroporti kërkon nga pasagjerët vetëm paraqitjen e kartave të imbarkimit gjatë kalimit nëpër pikat e sigurisë.
Departamenti Britanik për Transportin konfirmoi se kontrolli i pasaportave është përgjegjësi e kompanive ajrore dhe kryhet gjatë regjistrimit (check-in) dhe imbarkimit.
Ata shtuan se të gjithë pasagjerët i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë përpara se të hipin në avion.















































