Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se në fillim të javës së ardhshme do t’a propozojë Kryesisë së Kuvendit kërkesën për shpërndarje të Kuvendit.
Deputeti i kësaj partie, Hajdar Beqa, ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme që duhet të burojnë nga kjo vendimmarrje duhet të mos mbahen më larg se 7 korriku.
“Për t’u arritur objektivat dhe për t’u realizuar kërkesa e Partisë Demokratike që të mbahen zgjedhjet në fund të qershorit, eventualisht deri më 7 korrik, afatet kushtetuese janë që të dorëzohet një veprim i tillë për mocionin, të ndodhë në javën e ardhshme. Në fillim të javës së ardhshme”, ka thënë Beqa për Koha.net.
Sipas Beqajt, të gjithë deputetët PDK’së do të votonin pro shpërndarjes së Kuvendit.
“Sa i përket PDK-së të gjithë deputetët e PDK-së, të gjithë deputetët janë në dispozicion që të bëjnë një veprim të tillë sa më shpejt”, ka thënë Beqa.
Por, me të njëjtën siguri nuk flasin në Vetëvendosje. Deputeti i VV’së, Arbër Rexhaj ka thënë se nëse partia merr qëndrim për të votuar, ai do të duhej të respektohej nga të gjithë.
“Lëvizja Vetëvendosje në mbledhjen e saj të grupit parlamentar e ka kryesinë dhe organet e veta. Vendos në formë uniforme dhe natyrisht shumë deputetë në raste të tilla nuk kanë votuar, por unë besoj që kjo është vendim i subjektit politik dhe kur themi vendim i subjektit politik, pastaj mund të themi që ne kemi vendim për ta votuar një çështje të caktuar”, është shprehur Rexhaj.
Për shpërndarjen e Kuvendit duhen së paku 80 vota për. PDK-ja bashkë me Vetëvendosjen në pushtet, që është pro shpërndarjes së Kuvendit, kanë bashkërisht 74 deputetë. Dhe bashkë me ligjvënësit nga radhët e komuniteteve joserbe mbërrijnë numrin 82.