Një vështrim rreth karakteristikave të përgjithshme të sjelljes devijuese

0
672

Në shoqërinë tonë kemi mundësi të shohim forma ose lloje të ndryshme të manifestimit të sjelljeve, mirëpo secila sjellje karakterizohet nga një formë e ndryshme e përshtatshmërisë me normat dhe rregullat shoqërore. Sa janë të dobishme këto sjellje? A janë të mira apo jo të mira? A janë të përshtatshme apo jo të përshtatshme varet nga ajo se çfarë niveli të motivacionit ka individi për të manifestuar sjellje të tilla të caktuara.

Sa herë që flitet për sjelljen gjithmonë duhet të kihet parasysh nocioni ‘normë’ e konkretisht normë sociale dhe nocioni ‘shmangie’ e cila nënkupton ikjen nga sjellja e normave sociale. Nocioni i normës varet nga rregullat historike të cilat i ka përcaktuar një shoqëri e caktuar për komunitetin e saj dhe në bazë të këtyre normave adekuate shoqërore individët e këtij komuniteti duhet të sillen në mënyrë që të mos përjetojnë shmangie nga sjellja normale, kurse nocioni shmangie i dedikohet ikjes nga sjellja normale si dhe thyerjes së normave shoqërore. Normat sociale analizohen në kuadër të sjelljes sepse ato kanë një qëllim shumë specifik për individët e shoqërive të caktuara dhe ky qëllim ka të bëjë me ofrimin e mirëqenies për popullatën e caktuar pa i thyer këto norma. Sjellja devijuese është sjellje e caktuar e individit, e cila shmanget nga normat shoqërore e kulturore të rrethit në të cilin individi i këtillë zhvillohet dhe vepron.

Arsyeja se pse e filluam analizimin e sjelljes në bazë të konceptit normë ka të bëjë me atë që sjellja devijuese nuk mund të mendohet e pavarur nga koncepti normë, dhe kjo për arsye se kjo sjellje vjen në shprehje në lidhje me raportet që krijohen nga rregullat sociale.

Sjellja devijuese lidhet çdo herë me idenë e mospërputhjes së vlerave individuale me ato sociale, ku në kuadër të sjelljes devijuese përmendet edhe devijimi personal i cili ka të bëjë me drejtimin negativ e social të individit. Por ajo e cila ka rëndësi në këtë kontekst të sjelljes devijuese është dallimi që duhet të dihet në mes të sjelljes devijuese, devijimit social dhe defektivitetit social. Në jetën e përditshme sjellja devijuese shpesh ngatërohet me devijimin social i shkaktuar nga defekte anatomo–fiziologjike, por devijimi social dhe defektiviteti social nuk janë nocione që kanë përmbajtje të njejtë, megjithëse të dyja këto nocione kanë të bëjnë me problemet në socializimin e individit ato përsëri kanë preardhje të ndryshme.

Sjellja devijuese poashtu shpesh nënkuptohet si sjellje e njejtë me sjelljen delikuente nga shumica e njerëzve, edhe pse sjellja devijuese ka shfaqje të ndryshme se kur mund të quhet sjellje delikuente. Sjellja devijuese është e lidhur drejtpërdrejt me shkeljen e normave ligjore apo morale, ajo është një sjellje asociale e individit i cili thyen këto norma. Në momentin kur ndodhin thyerje të tilla të normave atëher shoqëria është ajo e cila i penalizon këta individë për sjellje asociale. Sjelljen devijuese arrijmë ta dallojmë nga sjellja delikuente në bazë të pasojave që ato kanë për shoqërinë.

Në përgjithësi shmangiet e sjelljes ndahen në tri grupe kryesore, e ato janë: shmangie në raportin ndaj ambientit rrethues, shmangie në raport me njerëzit dhe shmangie në raportin ndaj vetes. Meqë ky klasifikim i shmangies së sjelljes mund të përdoret për të gjitha grup moshat, atëher në këtë numër hynë edhe mosha adoleshente.

Shmnagie në raportin ndaj ambientit rrethues – zakonisht kur individi është i frustruar në lidhje me ndonjë çështje të caktuar, ku objekti i parë ndaj të cilit bëhet agresiv dhe sillet në mënyrë agresive është objekti rrethues, mjedisi i jashtëm pra objektet e pajetë. Ky ambient bëhet i huaj për individin dhe perceptohet si objekt përmbledhës i aspekteve negative dhe kur te individi fillon të shfaqet sjellja devijuese ai fillon ta fajsojë shoqërinë dhe ambientin e tij rrethues për të gjitha problemet e veta.
Shmangie në raportet me njerëzit – devijimet në raportet interpersonale janë të një niveli më të lartë sepse ato fillojnë prej indiferencës e mund të shkojnë deri në ushtrimin e dhunës fizike. Indiferenca si formë elementare e shmangies në raportet me njerëzit mund të trajtohet si formë normale e marrëdhënieve interpersonale sepse nuk ka të bëjë me parregullsitë në raportet sociale. Kjo thjesht ka të bëjë me injorimin e nevojave të personave të tjerë, por ky injorim ka edhe një faktor tjetër i cili ka të bëjë me faktorin kulturë sepse në vende të ndryshme injorimi i njëri tjetrit në vende publike madje edhe në vende pune shihet si diqka krejt normale dhe ska të bëjë aspak me shmangie në raportet me njerëzit.

Shmangie në raportin ndaj vetës – sjellja devijuese nuk është e orientuar vetëm kah ambienti rrethues apo ndaj të tjerëve por edhe kah vetë individi. Ky lloj i sjelljes devijuese ka të bëjë me paknaqësitë personale dhe mund të ketë edhe pasoja suicidale varësisht nivelit të shmangies. Kështu, nëse nuk ekziston një raport në mes të unit i cili identifikohet me ‘unë’ dhe ‘ata’ atëher individi do të përjetojë një konflikt të brendshëm i cili do të sjellë pasoja për unin ose egon e personit sepse egoja ose uni i njeriut mund të ekzistojë vetëm si pjesë e bashkësisë njerzore dhe asnjëher i ndarë nga kjo tërësi.

Shkruan: Kaltrina SKORO – MURTEZAJ

Psikologe

Leave a Reply