Mungesa e tregut efektiv konkurues të energjisë elektrike në Kosovë

0
660

Sektori i energjisë elektrike në Kosovë ende po ballafaqohet me problemin e mungesës së tregut efektiv konkurrues. Edhe pse po bëhet hapja graduale e tregut të energjisë elektrike, deri tani nuk ka treg konkurrues të energjisë elektrike në Kosovë. Megjithëse deri tani janë të licencuar tre furnizues, vetëm njëri prej tyre është aktiv në treg i cili furnizon të gjithë konsumatorët. Nëse do të kishte më shumë furnizues në tregun e energjisë elektrike në Kosovë, furnizimi me energji elektrike do të ishte më i qëndrueshëm.

Kosova ka bërë mjaft hapa drejt reformimit të sektorit të energjisë, por ka ende shumë punë lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë. Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë po bëhet në mënyrë graduale, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore për të përshtatur ndryshimin e ligjeve me gjendjen e sektorit të energjisë në Kosovë. Kur shumë shtete kanë dështuar me dekada të liberalizojnë tregun e energjisë elektrike nga monopolet e zhvilluara, Kosova synon të liberalizojë tregun totalisht edhe për konsumatorët fundor në një të ardhme shumë të afërt. Ka projekt modele të shumta, por gjithashtu mund të merren si modele shtetet si Norvegjia, e cila po shfrytëzohet si një histori suksesi në krijimin dhe funksionimin e tregut të energjisë, tani kur edhe Evropa e zhvilluar duket se nuk është hapur totalisht drejt liberalizimit të tregut.

Një ndër objektivat kryesore për krijimin e një sektori të zhvilluar të energjisë, pa dyshim është edhe integrimi në tregun rajonal të energjisë.

Objektiv tjetër është ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese për zëvendësimin e atyre që janë shumë të vjetruara për të mbuluar kërkesën në rritje të energjisë elektrike për konsumatorët dhe kërkesat e sistemit, krahas integrimit të tregut të energjisë elektrike me Shqipërinë, si hap i parë drejt integrimit rajonal.

Fillimi i operimit të KOSTT-it si Zonës Rregulluese e me këtë edhe integrimi në mekanizmat regjional ka ndikuar pozitivisht në realizimin e tregtisë ndërkufitare duke rritur edhe likuiditetin e tregut të energjisë elektrike. Mbulimi i kërkesave për energji elektrike, përveç që bëhet në masën dërmuese nga prodhimi vendor, gjithashtu një pjesë sigurohet nga importi. Në rastet kur kërkesa totale për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit nuk plotësohet nga prodhimi vendor, atëherë diferenca mbulohet përmes importit.

Shkruan: Msc.i Dipl.i Eng. Sami GASHI – Specializimin për burimet e ripërtritshme në bashkëpunim me Arizona State University, dhe Auditor i çertifikuar i energjisë elektrike dhe ndriçimit publik

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply