Muharremaj iu jep “leksione” kryetarëve të tjerë duke treguar investimet që bëri për parandalimin e vërshimeve në Suharekë

0
186

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj në emisionin Kallxo Përnime ka folur për vërshimet të cilat kanë ndodhur në vitin 2018 në Komunën e Suharekës.

Muharremaj ka thënë se me 16 gusht të vitit 2018 ku reshjet atmosferike atë kohë në komunë kishin qenë të vazhdueshme, kishte pasur thirrje nga qytetarët e fshatit Sopijë të cilëve u ka dalë në ndihmë, po që kur është kthyer në Qytetin e Suharekës gjendja e rrugëve nga uji i reshjeve atmosferike thotë se ka qenë i ngjashëm me atë se çfarë kemi parë së fundmi në Skenderaj.

I pari i Suharekës në Kallxo Përnime tregon se vendimi i parë i asaj kohe ka qenë evakuimi i njerzve nga zonat e përmbytyra nga vërshimet, sidomos ata që kanë jetuar në rrugën “Avdyl Rama” pasi që kjo rrugë ishte shëndrruar në lum, tutje ai tregon se është formuar edhe shtabi emergjent duke shtuar se në mëngjes në ndihmë Komunës së Suharekës i ka dal edhe FSK.

Pas gjendjes alarmante e cila ishte krijuar atë kohë Muharremaj thotë se kishte kërkuar këshilla nga disa profesor të fushës, ku menjëherë ka filluar të punohet një projekt i cili do ta largonte Suharekën nga rrezikshmëria e përmbytjeve.

Muharremaj ka thënë se Komuna e Suharekës në vlerë prej 527 mijë euro ka bërë dy projekte, kanalin e Dubiçakut dhe kanali tjetër i cili shkon rrugës “Xhavit Syla”, rrugë kjo e cila lidh Reqanin, Budakovën dhe Jezercin.

Ai tregon se tash e 3 vite Komuna e Suharekës nuk e ka më problemin siç e kishte dikur, nuk e ka rrezikun e njejtë për tu përmbytur nga vërshimet, duke përmendur edhe rrugën e Sheshit të Qytetit e cila gjithmonë është mbushur me ujë nga reshjet, mirëpo me punimin e një kolektori edhe në atë pjesë Muharremaj thotë se nuk ka më probleme të tilla si në të kaluarën.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tregon se këto projekte në pjesën e parë të punimeve komunës i kanë kushtuar 527 mijë euro, në pjesën e dytë 500 mijë euro duke shtuar se pjesa e tretë e cila është e paraparë të filloj në vitin 2023 është pjesa prej 1 km e cila fillon prej unazës që hynë prej autostradës në Suharekë e që derdhja do të bëhet në lum.

Ai tutje thotë se Komunës së Suharekës në të ardhmen i mbetet vetëm rruga e Biraqit, ku aktualisht komuna në atë zonë ka një problem me pronat private ani pse projekti për punime është gatshëm.

Ndër tjerash, Muharremaj ka thënë se mund të ndodhë gjithçka, por që nuk beson se në Komunën e Suharekës mund të ketë përsëri gjendje të njejtë dhe përmbytje nga vërshimet.

Muharrmaj thotë se dëmet e analizuara në vitin 2018 kanë qenë në vlerë diku mbi 6.5 milionë euro, e ku qytetarëve iu janë komensuar 1.1 milionë euro.

“Ne nuk mundemi me u shty me fuqinë e natyrës sepse ndodh çkado që ndodh, por besoj që në Suharekë ku vërshime kemi pasur edhe në vitin 1994 kur ka pasur edhe humbje jete të njerëzve. Dëmet që i kemi analizuar më 2018 kanë qenë diku mbi 6.5 milionë euro pa llogaritë bizneset” ka thënë ai.

“Për herë të parë në historin e njerzimit atë vit kemi komensuar 1.1 milionë euro, kemi marr një vendim në Asamblenë Komunale, kemi zgjedhur komisionet nëpër fshatra…” shtoi ai.

Leave a Reply