Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka publikuar një video nga vizita që i ka bërë ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Hagë, duke thënë se kurajo e tij ishte mbresëlënëse.
Sipas Hasanit, Thaçi ishte optimist se e drejta do të triumfojë.
“Sot në Hagë u takova me presidentin Hashim Thaçi. E gjeta në gjendje të mirë shpirtërore, optimist dhe me besim të palëkundur se e drejta do të triumfojë. Ishte mbresëlënëse kurajo e tij, ekuilibri i brendshëm, qetësia dhe kthjelltësia e vizioni që ka përpara. I vetëdijshëm se proceset gjyqësore janë maratonë me përpjeta e tatëpjeta, garat i fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht”, ka thënë Hasani.
Ministri i Jashtëm e ka siguruar Thaçin që mbështetja e Shqipërisë nuk do të mungojë.
“I përcolla zotit Thaçi urimet më të mira të liderëve të shtetit dhe sigurinë që si më parë, mbështetja jonë s’do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë. Populli shqiptar nuk i harron as përpjekjet e as sakrificat e të bijve të vet ashtu si dje në luftë, por edhe sot në paqe. E informova për zhvillimet më të fundit në vendin tonë dhe rajon dhe përpjekjet për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin”, ka shtuar ai.
Hasani ka thënë se diplomacia shqiptare do të ngulë këmbë në zbatimin e standardeve për proces të hapur e transparent.
“Diplomacia shqiptare, si edhe më parë, do të ngulë këmbë në zbatimin e standardeve për një proces gjyqësor të hapur e transparent, respektim të plotë të të drejtave të njeriut.Mbresë e pashlyeshme për mua si ministër, por edhe si qytetar e admirues i përpjekjes së Hashim Thaçit e gjithë burrave që janë brenda, për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Hasani.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.