Mbi 1.3 milion banorë të regjistruar deri më tani në Kosovë

0
136

Mbi 1 milionë e 300 mijë është numri popullsisë i regjistruar deri tani në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Agjencisë së Statistikave, Hazbije Qeriqi.

Zyrtarë qeveritarë dhe kryetarë komunash ftojnë qytetarët që akoma nuk janë regjistruar që ta bëjnë këtë.

Kanë mbetur edhe pesë ditë deri më 17 maj, datë kjo kur përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë, i filluar më 5 prill.

Zëdhënësja e Agjencisë së Statistikave, Hazbije Qeriqi, flet për rrjedhën e procesit dhe numrin e qytetarëve të regjistruar.

“Procesi i regjistrimit të popullsisë deri tani mund të themi se ka shkuar mirë, me pak sfida që kemi pasur gjatë punës në terren. Nesër do të dalim me shifrat e reja. Por, referuar të dhënëve të fundit që kemi nxjerrë, janë mbi 1 milionë e 300 mijë qytetarë që janë regjistruar si popullsi rezidente dhe afërsisht 400 mijë të regjistruar në platformën elektronike e-diaspora”, tha ajo.

Regjistrimi është duke u zhvilluar në të gjitha komunat, ndonëse në veri ka hezitim për pjesëmarrje në proces. E, të gjithë ata që akoma nuk janë regjistruar, Qeriqi thotë se mund të lajmërohen për regjistrim.

“Ka raste kur regjistruesi nuk ka shkuar në ndonjë ekonomi familjare. Mirëpo, kjo është java e fundit dhe ASK e ka përgatitur edhe një ekip mobile që në çdo rast mund të vizitoj familjet të cilat lajmërohen se nuk ka shkuar regjistruesi tek ata”, tha Qeriqi.

Ligji për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, parasheh gjoba për të gjitha ata që refuzojnë të regjistrohen apo japin informata të pasakta. Personat fizik mund të gjobiten deri në 2 mijë euro, ndërsa ata juridik deri në 20 mijë euro.

Zëdhënësja e ASK-së u pyet nga Radio Kosova nëse ka ndonjë rast të gjobave të shqiptuara për mos regjistrim. Qeriqi tha se ASK nuk shqipton gjoba, por të gjitha ata që assesi nuk pranojnë të regjistrohen mund të ndëshkohen nga organet kompetente.

E pyetur për mundësinë e shtyerjes së procesit të regjistrimit të popullsisë, Qeriqi ka thënë se deri tani nuk kanë menduar dhe as nuk kanë informata për mundësinë e zgjatjes së afatit të regjistrimit.

Thirrje për regjistrim ka bërë edhe ministri i financave, punës dhe transferove, Hekuran Murati.

“Pensionet, shtesat e fëmijëve, politikat sociale, buxhetet komunale e shumë vendime e politika tjera do të varen nga ky regjistrim i popullsisë. Është e domosdoshme që secili prej nesh të regjistrohet në mënyrë që të kemi të dhëna të sakta dhe të mund të bëjmë politika më të mira”, ka shkruar Murati në Facebook.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here